Gjermania dhe 10 vende të BE-së kërkojnë rregulla të reja për të drejtat e autorit në epokën e inteligjencës artificiale
Gjermania dhe 10 vende të tjera anëtare po i kërkojnë Komisionit Evropian të paraqesë legjislacion të ri për mbrojtjen e veprave me të drejta autori në epokën e inteligjencës artificiale, siç njofton Euronews. Gjermania, Spanja, Polonia, Austria, Qiproja, Kroacia, Danimarka, Estonia, Portugalia, Sllovakia dhe Sllovenia kanë mbështetur mbrojtje më të fortë për sektorin kulturor dhe krijues, ndërsa teknologjitë e inteligjencës artificiale përparojnë.
“I bëjmë thirrje Komisionit Evropian të paraqesë sa më shpejt një propozim ligjor përkatës”, thuhet në notën që 11 vendet paraqitën për rendin e ditës së takimit të ministrave të Kulturës të enjten dhe të premten. Sistemet e avancuara të inteligjencës artificiale, si modelet e mëdha gjuhësore, trajnohen me triliona pika të dhënash të mbledhura edhe nga interneti i hapur, shpesh me pak kujdes nëse materiali mbrohet nga të drejtat e autorit.
Për sektorin e teknologjisë, kufizimi i qasjes në materialin e mbrojtur do ta linte Evropën edhe më pas Shteteve të Bashkuara dhe Kinës në garën e inteligjencës artificiale. Për industritë krijuese dhe kulturore, praktikat aktuale përbëjnë vjedhje masive dhe u minojnë jetesën krijuesve. “Qëllimi është të mbrohet puna krijuese njerëzore, duke mundësuar njëkohësisht inovacionin e inteligjencës artificiale në Evropë”, thuhet në dokument.
Thirrja është shtytja më e fundit e ministrive të Kulturës të vendeve mbështetëse dhe pason një thirrje të ngjashme në maj nga tetë vende, çka tregon se nisma po fiton mbështetje. Komisioni pritet të paraqesë një paketë legjislative për transformimin digjital, thjeshtimin dhe të drejtat e autorit në tremujorin e dytë të vitit 2027, ndërsa në fillim të këtij muaji mbylli një konsultim publik për masat e mundshme.
Bashkimi Evropian ka tashmë një Direktivë për të Drejtat e Autorit, e cila u lejon krijuesve të zgjedhin që vepra e tyre të mos përdoret për zhvillimin e inteligjencës artificiale. Në notë, vendet kërkojnë veprim të shpejtë që kjo e drejtë përjashtimi të zbatohet më lehtë në praktikë.