BE nis betejën me lajmet e rreme të krijuara nga inteligjenca artificiale
Nga kjo e diel, kompanitë e inteligjencës artificiale do të përballen me rregulla të reja në Bashkimin Evropian. Sipas Aktit të BE-së për Inteligjencën Artificiale (AI Act), ato do të detyrohen që deepfake-t dhe përmbajtjet e krijuara nga AI të jenë të identifikueshme qartë si materiale artificiale.
Megjithatë, ekspertët kanë ngritur dyshime nëse këto rregulla do të jenë mjaftueshëm efektive, për shkak të vështirësive teknike në zbulimin dhe gjurmimin e përmbajtjeve të krijuara nga inteligjenca artificiale.
Dy vite më parë, Bashkimi Evropian miratoi një paketë të gjerë rregullash për kontrollin e inteligjencës artificiale dhe krijoi një zyrë të posaçme për të mbikëqyrur zbatimin e tyre.
Ndër masat kryesore të ligjit është kërkesa që kompanitë që zhvillojnë sisteme gjeneruese të AI, si ChatGPT dhe Claude, të sigurojnë që përmbajtjet e krijuara ose të ndryshuara nga inteligjenca artificiale të mund të dallohen nga përdoruesit.
Rregullat janë edhe më të rrepta për deepfake-t, pra fotografi, video ose regjistrime audio të krijuara me AI që duken reale dhe mund të bëjnë njerëzit të besojnë se një person ka thënë ose bërë diçka që në fakt nuk ka ndodhur.
Teknologjia e inteligjencës artificiale mund të përdoret për qëllime për manipulim. Një shembull ishte fotografia e krijuar me AI e Papa Françeskut me një xhup të bardhë modern, e cila u shpërnda gjerësisht në internet.
Frika kryesore është se përmbajtjet gjithnjë e më realiste të krijuara nga AI mund ta bëjnë më të vështirë për qytetarët dallimin mes informacionit të vërtetë dhe atij të manipuluar.
Për të përballuar këtë sfidë, Komisioni Evropian ka hartuar rregulla që kërkojnë përdorimin e shenjave teknike dhe etiketave të dukshme që tregojnë kur një përmbajtje është krijuar nga inteligjenca artificiale.