BE sanksionon katër banda haitiane për vrasje, përdhunime dhe rekrutim fëmijësh
Këshilli i Bashkimit Evropian vendosi të hënën të shtojë katër subjekte haitiane në listën e sanksioneve globale të BE-së për të drejtat e njeriut, për shkelje të rënda të kryera nga bandat kriminale në Haiti. Sipas Këshillit të Bashkimit Evropian, vendimi lidhet veçanërisht me mbrojtjen e fëmijëve në konfliktet e armatosura, në vitin që shënon 30-vjetorin e mandatit të OKB-së për fëmijët dhe konfliktet e armatosura.
Mes subjekteve të listuara është grupi kriminal 5 Segond, i cili, sipas Këshillit, është përgjegjës për vrasje, përdhunime dhe forma të tjera të dhunës seksuale e me bazë gjinore, si dhe për dhunë ndaj fëmijëve. I njëjti grup akuzohet edhe për disa sulme ndaj infrastrukturës shëndetësore dhe shërbimeve humanitare në vend.
Në listë është futur edhe banda Gran Ravine, e udhëhequr nga Renel Destina, i njohur me nofkën “Ti Lapli”. Këshilli thotë se sulmet e këtij grupi kanë shkaktuar vdekje civilësh, zhvendosje të popullsisë dhe ndërprerje të shërbimeve thelbësore, ndërsa grupi akuzohet edhe për vrasje, përdhunime dhe rrëmbime.
Dy subjektet e tjera, 400 Mawozo dhe Krazé Baryè, sanksionohen për rekrutimin e fëmijëve në grupe të armatosura dhe ekspozimin e tyre ndaj dhunës së armatosur, si dhe për krime të tjera, përfshirë forma të dhunës seksuale e me bazë gjinore dhe vrasje.
Me vendimet e së hënës, masat kufizuese të BE-së për shkeljet e të drejtave të njeriut zbatohen tani ndaj gjithsej 152 individëve dhe 49 subjekteve. Të listuarit u nënshtrohen ngrirjes së aseteve dhe ndalimit të udhëtimit në vendet anëtare, ndërsa qytetarëve dhe kompanive të BE-së u ndalohet t’u vënë fonde në dispozicion, drejtpërdrejt ose tërthorazi. Aktet ligjore, përfshirë rregulloren zbatuese 2026/2569, janë botuar në Fletoren Zyrtare të BE-së.
Regjimi global i sanksioneve të BE-së për të drejtat e njeriut u krijua më 7 dhjetor 2020 dhe i lejon bllokut të shënjestrojë individë e subjekte përgjegjëse për shkelje të rënda kudo në botë. Këshilli theksoi se BE-ja mbetet një partnere politike dhe zhvillimi afatgjatë e Haitit dhe do të vazhdojë të ndihmojë, së bashku me partnerët rajonalë, në përmirësimin e situatës humanitare në vend.