E martë, 17 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›BERLIN – Merz pret presidentin finlandez, në fokus siguria evropiane dhe marrëdhëniet me SHBA-në

BERLIN – Merz pret presidentin finlandez, në fokus siguria evropiane dhe marrëdhëniet me SHBA-në

BERLIN, 17 nentor /ATSH-DPA/- Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb ka zhvilluar sot një vizitë pune në Berlin, ku është takuar me presidentin gjerman Frank-Walter Steinmeier dhe kancelarin Friedrich Merz, për të diskutuar çështje që lidhen me sigurinë evropiane, luftën në Ukrainë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.

Gjatë takimit me presidentin Steinmeier, dy liderët diskutuan për luftën e Rusisë kundër Ukrainës dhe zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme.

Ndërsa në takimin me kancelarin Merz, në qendër të bisedimeve ishin marrëdhëniet dypalëshe mes Finlandës dhe Gjermanisë, siguria dhe mbrojtja, lufta në Ukrainë dhe marrëdhëniet transatlantike, që përfshijnë bashkëpunimin mes Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Pas bisedimeve, Stubb dhe Merz zhvilluan një takim të përbashkët me përfaqësuesit e medias, ku pritet të paraqesin qëndrimet e tyre mbi çështjet e diskutuara.

Vizita e presidentit finlandez në Berlin, përfshin gjithashtu ceremoninë e ndarjes së Çmimit “Walther Rathenau”, që iu akordua Stubb në vlerësim të kontributit të tij gjatë karrierës në politikën e jashtme.

Çmimi jepet nga Instituti “Walther Rathenau” dhe vlerëson personalitete, që kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ndër fituesit e mëparshëm janë, filantropi dhe sipërmarrësi amerikan, Bill Gates dhe ish-kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas.

Vizita në Berlin, vjen pas pjesëmarrjes së Stubb në Forumin e Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel, më 16 nëntor, ku ai mbajti një fjalim mbi ndikimin gjeopolitik të Evropës dhe u takua me drejtues të institucioneve evropiane.

Gjatë qëndrimit në Bruksel, presidenti finlandez zhvilloi takime edhe me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidentin e Këshillit Evropian, António Costa, dhe mbretin e Belgjikës, Philippe. /

Lini një koment