E martë, 17 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›FOKUS – Macron viziton Malajzinë, Franca dhe Kuala Lumpuri forcojnë partneritetin strategjik

FOKUS – Macron viziton Malajzinë, Franca dhe Kuala Lumpuri forcojnë partneritetin strategjik

– Presidenti francez, Emmanuel Macron ka nisur një vizitë zyrtare dyditore në Malajzi, më 16 dhe 17 nëntor, me synimin për të thelluar marrëdhëniet dypalëshe dhe për t’i ngritur ato në nivelin e partneritetit strategjik, sipas “Reuters”.

Kjo është vizita e parë e Macron në Malajzi, që prej marrjes së detyrës si president i Francës në maj 2017. Ai shoqërohet nga bashkëshortja Brigitte Macron, ministra të kabinetit dhe zyrtarë të lartë francezë.

Gjatë vizitës, Macron u prit nga kryeministri malajzian Anwar Ibrahim në një ceremoni zyrtare në Kuala Lumpur. Dy liderët zhvilluan bisedime për forcimin e bashkëpunimit në tregti, investime, mbrojtje, energji, minerale strategjike dhe arsim.

Një nga çështjet kryesore të diskutimeve, ishte bashkëpunimi për mineralet e rralla, të cilat përdoren në prodhimin e automjeteve elektrike, pajisjeve elektronike dhe teknologjive të avancuara.

Kryeministri Anwar Ibrahim bëri të ditur se Malajzia do të lejojë eksportin e një pjese të mineraleve të rralla të papërpunuara drejt Francës, në kuadër të një bashkëpunimi, që parashikon edhe përpunimin e tyre dhe transferimin e teknologjisë franceze.

Dy vendet synojnë gjithashtu të zhvillojnë një projekt të përbashkët për nxjerrjen dhe përpunimin e këtyre mineraleve, përmes kompanive “Carester” nga Franca dhe “Malaco Mining” nga Malajzia. Projekti pritet të nisë funksionimin në fillim të vitit 2027.

Bashkëpunimi do të shtrihet edhe në fushën e mbrojtjes. Kompania evropiane “Airbus” do të furnizojë Forcat Ajrore Mbretërore të Malajzisë me helikopterë për kërkim-shpëtim, ndërsa palët diskutuan edhe mundësi të tjera për bashkëpunim në industrinë ushtarake.

Gjatë takimit, të dyja palët nënshkruan shtatë letra, që shprehin synimin për bashkëpunim dhe shkëmbyen tre memorandume mirëkuptimi, që përfshijnë sektorin e mbrojtjes dhe fusha të tjera strategjike.

Macron dhe Anwar Ibrahim diskutuan gjithashtu për tranzicionin energjetik, gjysmëpërçuesit, inteligjencën artificiale, sigurinë kibernetike dhe lidhjet digjitale.

Vizita synon të forcojë praninë ekonomike dhe strategjike të Francës në Azinë Juglindore, si dhe të krijojë mundësi të reja bashkëpunimi mes Evropës dhe vendeve të ASEAN-it.

Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Jashtme e Malajzisë, shkëmbimet tregtare mes dy vendeve arritën në 4,17 miliardë dollarë në vitin 2025, duke e bërë Francën një prej partnerëve të rëndësishëm tregtarë evropianë të Kuala Lumpurit. /

Lini një koment