Monday, 21 September 2026
54°F Detroit
BallinaBotaBERLIN – Wadephul: OKB-ja të ndërmarrë hapa konkrete për zgjidhjen e konflikteve globale

BERLIN – Wadephul: OKB-ja të ndërmarrë hapa konkrete për zgjidhjen e konflikteve globale

BERLIN, 21 shtator /ATSH-DPA/- Gjermania ka bërë thirrje për hapa konkrete drejt përfundimit të luftës në Ukrainë dhe konflikteve në Lindjen e Mesme, ndërsa liderët botërorë mblidhen në Nju Jork për takimin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Përpara se të nisej në Nju Jork, ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul tha se Asambleja e Përgjithshme e OKB-së nuk duhet të kufizohet vetëm në evidentimin e krizave dhe konflikteve në botë, por duhet të shërbejë për të ndërmarrë hapa konkrete drejt zgjidhjeve.

Ai bëri thirrje për rikthimin e dialogut mes palëve në konflikt dhe kritikoi prirjen drejt përshkallëzimit të vazhdueshëm të situatave të tensionuara.

Wadephul i kërkoi gjithashtu Rusisë të angazhohet në negociata serioze për luftën në Ukrainë, duke thënë se Moska po shton kërcënimet ndaj vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

Një tjetër çështje që Gjermania synon të diskutojë në OKB, është siguria detare në Ngushticën e Hormuzit dhe atë të Bab al-Mandabit, të cilat kanë rëndësi të madhe për tregtinë ndërkombëtare.

Sipas Wadephul, Irani dhe grupi rebel Houthi, i mbështetur nga Teherani, kanë penguar prej muajsh qarkullimin e lirë të tregtisë në këto zona.

Gjermania do të përfaqësohet në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së nga ministri i Jashtëm Wadephul, ministri për Mjedisin, Veprimin Klimatik, Ruajtjen e Natyrës dhe Sigurinë Bërthamore, Carsten Schneider dhe ministrja për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Reem Alabali Radovan.

Kancelari Friedrich Merz nuk do të marrë pjesë në takimin e OKB-së, pasi anuloi udhëtimin e planifikuar.

Wadephul pritet të zhvillojë gjithashtu takime me homologët e tij të vendeve të G7 në Nju Jork.

Ministri gjerman e cilësoi Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, një mundësi të veçantë për koordinimin e vendeve përballë sfidave të mëdha ndërkombëtare. /

Lini një koment