Besnik Tahiri kërkon hapa konkretë për integrimin evropian: Rrezikohen 131 milionë euro
Mungesa e një agjende të qartë për integrimin evropian dhe keqmenaxhimi i parasë publike ishin ndër çështjet që ngriti deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, gjatë debatit parlamentar për Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për vitin 2026.
Tahiri vlerësoi se Kosova po kalon nëpër një proces integrues pa agjendë të qartë, duke e cilësuar vendin si shtetin me progresin më të dobët në Ballkanin Perëndimor.
Ai gjithashtu theksoi se Kosova është i vetmi vend që ka qenë nën masat e Bashkimit Evropian për më shumë se dy vjet.
Deputeti ngriti shqetësime edhe për menaxhimin e parasë publike, duke thënë se korrupsioni dhe keqmenaxhimi i financave paraqesin rrezik të madh.
Ai kërkoi nga Qeveria ndërmarrjen e tri veprimeve konkrete: caktimin e një ministri ose zëvendësministri përgjegjës për agjendën e integrimit evropian, adresimin e statusit të vendit kandidat dhe shmangien e humbjes së 131 milionë eurove nga fondet evropiane.
“Kjo qeveri duhet të ndërmarrë tre hapa: caktimin e një ministri ose zëvendësministri përgjegjës për agjendën e integrimit evropian, adresimin serioz të çështjes së statusit të vendit kandidat dhe të mos lejojë të humben 131 milionë euro, ashtu siç janë humbur 43.8 milionë euro”, deklaroi Tahiri. /Telegrafi/