Bibliotekat kombëtare shqiptare dhe hungareze nisin bashkëpunimin profesional e shkencor
Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë dhe Biblioteka Kombëtare Széchényi e Hungarisë nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi, me qëllim forcimin e bashkëpunimit profesional, shkencor dhe kulturor mes dy institucioneve.
Në ceremoninë e nënshkrimit ishin të pranishme zëvendësministrja e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Lira Pipa, si dhe ambasadorja e Hungarisë në Shqipëri, Martina Laura Kasnyik.
Memorandumi synon të krijojë mundësi të reja për shkëmbimin e botimeve dhe ekspertizës profesionale, digjitalizimin e koleksioneve, zhvillimin e projekteve të përbashkëta, si dhe organizimin e ekspozitave, konferencave dhe aktiviteteve kulturore e shkencore.
Një element i veçantë i këtij bashkëpunimi është edhe krijimi i “Këndit të Literaturës Hungareze” në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, falë dhurimit të librave nga pala hungareze.
Ky kënd përbën një hap konkret në zhvillimin e partneritetit mes dy institucioneve dhe një mundësi të re për lexuesit shqiptarë për t’u njohur më nga afër me historinë, letërsinë dhe kulturën hungareze.
Nënshkrimi i memorandumit synon të forcojë lidhjet institucionale mes Shqipërisë dhe Hungarisë, duke promovuar shkëmbimin e njohurive dhe pasurimin e ofertës kulturore për publikun.