Tuesday, 5 May 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaBie besimi në ekonomi, qytetarët ulin shpenzimet, pasiguri në disa sektorë

Bie besimi në ekonomi, qytetarët ulin shpenzimet, pasiguri në disa sektorë

Besimi në ekonomi ka rënë në muajin prill. Sipas vrojtimit më të fundit të Bankës së Shqipërisë, treguesi i ndjesisë ekonomike ra me 1.5 pikë, duke

Besimi në ekonomi ka rënë në muajin prill. Sipas vrojtimit më të fundit të Bankës së Shqipërisë, treguesi i ndjesisë ekonomike ra me 1.5 pikë, duke shënuar kthesë pas optimizmit disa-mujor.

Konsumatorët, dhe sektorë si shërbimet e tregtia ndikuan në uljen e pikëzimit në sondazhin mujor, ndërsa niveli mbetet 6.4 pikë mbi mesataren, çka tregon se klima ekonomike vijon të jetë relativisht e qëndrueshme.

Për sektorë si industria dhe ndërtimi qasja është pozitive në prill, duke kompensuar pjesërisht rënien në sektorët e tjerë. Besimi në industri u rrit me 1.5 pikë përqindje, i nxitur nga pritje më optimiste për prodhimin dhe kontratat nga eksportet. Ndërkohë, ndërtimi shënoi rritjen më të fortë mujore, me +4.9 pikë përqindje, i mbështetur nga përmirësimi i porosive aktuale.

Nga ana tjetër, shërbimet dhe tregtia, dy sektorë kyç për ekonominë e brendshme – kanë dhënë sinjale dobësimi, si pasojë e vlerësimeve më të dobëta për kërkesën dhe aktivitetin aktual dhe performanca e dobët e shitjeve.

Sinjali më shqetësues vjen nga konsumatori. Treguesi i besimit konsumator ra me 3.2 pikë përqindje. Rënia është e ndikuar nga pritjet për financat personale, situatën ekonomike dhe sidomos blerjet e mëdha. Të dhënat në tabelat e vrojtimit tregojnë se konsumatorët janë më pesimistë edhe për të ardhmen, ndërsa pritjet për çmimet dhe papunësinë kanë pësuar përkeqësim në prill.

Lini një koment