Friday, 14 August 2026
54°F Detroit
BallinaBotaBM – Jeff Bezos aksioneri i ri te “Liverpool”

BM – Jeff Bezos aksioneri i ri te “Liverpool”

LONDËR, 14 gusht /ATSH-DPA/ – Pronarët e ekipit anglez të futbollit “Liverpool” “Fenway Sports Group” (FSG), kanë njoftuar shitjen e një pjese të aksioneve të klubit te një konsorcium investitorësh ku përfshihet edhe themeluesi i “Amazon”, Jeff Bezos.

Mësohet se rreth 30% deri në një të tretën e klubit i është shitur “1892 Holdings”, një konsorcium i drejtuar dhe menaxhuar nga Amit Bhatia, dhëndri i miliarderit të industrisë së çelikut Lakshmi Mittal.

“Liverpool” konfirmoi se investimet në marrëveshje vijnë nga Bhatia dhe fondet e familjes Mittal, “K5 Sports”, ku Bezos është investitori kryesor, si dhe “EE Capital”, zyra familjare e Elaine dhe Eduardo Saverin.

Presidenti i FSG,- së Mike Gordon, tha se “Liverpool” është ndërtuar gjithmonë duke menduar përtej një sezoni të vetëm dhe duke marrë vendime në interes të klubit në planin afatgjatë.

Sipas Gordon, kjo filozofi vazhdon të tërheqë investitorë dhe drejtues të njohur biznesi nga e gjithë bota.

Ai shtoi se gjatë shqyrtimit të marrëveshjes u bë e qartë se Amit Bhatia dhe konsorciumi ndajnë të njëjtin vizion afatgjatë dhe të njëjtin vlerësim për atë që e bën “Liverpool” – in një klub të veçantë.

FSG-ja tha se përvoja dhe këndvështrimi i investitorëve të rinj do të plotësojnë bazën ekzistuese të klubit dhe se palët presin të bashkëpunojnë në të ardhmen.

Jeff Bezos, themeluesi i “Amazon” dhe një prej njerëzve më të pasur në botë, ka një pasuri të vlerësuar në rreth 192 miliardë paund, ose rreth 260 miliardë dollarë, sipas revistës amerikane “Forbes”.

Marrëveshja nuk nënkupton shitjen e plotë të “Liverpool” – it, por i jep konsorciumit të ri një pjesë të konsiderueshme të aksioneve të klubit, ndërsa FSG-ja mbetet pronari kontrollues. /Ad.Ab./ a.jor.

Lini një koment