Boçi: Opozita të bashkërendojë aksionin politik me protestën qytetare
I ftuar në “Now me Erla Mëhillin”, deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, foli për aksionin e opozitës dhe mënyrën se si duhet të vijojë përballja politike me qeverinë.
Deputeti demokrat tha se opozita duhet të bashkërendojë aksionin e saj politik me protestën qytetare ndërsa u shpreh se duhet të përdoren edhe forma të tjera të aksionit politik dhe institucional.
“Kur ne investohemi dhe jemi investuar, por shohim që institucionet nuk veprojnë, jemi në një degradim total të institucioneve të shtetit shqiptar. Çfarë do bëjë opozita? Opozita është qytetare dhe politike. Opozita tashmë është në protestë, sepse është pjesë e protestës me burimet e saj qytetare. Ne nuk mund t’i marrim kauzat qytetare dhe të themi ‘janë të mijat’, sepse do të ishte gabim fatal. Sot aty janë qytetarët. Ajo që duhet të bëjë opozita është konvergimi i lëvizjes së saj protestuese politike me lëvizjen qytetare. Në institucione, në Parlament, duhet të merren akte të forta politike. Është folur për ngujim, grevë urie, bllokim i institucionit që ai të mos funksionojë, por pa një konvergim të protestës qytetare dhe opozitës nuk mund të ndodhë. Ptjetër jemi pjesë e protestës, me zemër, me njerëz, me komunikime, jemi në protestë. Aktet që bën protesta sot, PD-ja i ka bërë, por kur ne i bënim anatemoheshim. Parimet janë të rrëzohet qeveria, parimi tjetër të bëhen zgjedhje të lira e të ndershme, parimi tjetër qeveri teknike. Rama nuk do, por i kanë gjetur këtë mënyrë, i del një përgjigjim, një gjë, i heqin mbështetjen”, tha ai.