Tuesday, 25 August 2026
54°F Detroit
BallinaBotaBrazili gjobit TikTok-un me mbi 25 milionë euro për përpunimin e të dhënave personale të fëmijëve

Brazili gjobit TikTok-un me mbi 25 milionë euro për përpunimin e të dhënave personale të fëmijëve

Agjencia Braziliane për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (ANPD) gjobiti ByteDance, pronarin e TikTok, me 153.8 milionë reais braziliane (rreth 25.55 milionë euro) për përpunimin e paligjshëm të të dhënave personale të adoleshentëve.

ANPD deklaroi në një vendim të botuar në gazetën zyrtare se njësia braziliane e kompanisë kineze ByteDance përpunoi të dhënat personale të përdoruesve të moshës 13 deri në 18 vjeç pa një bazë të përshtatshme ligjore, raporton Reuters.

Në muajt e fundit, autoritetet braziliane kanë rritur monitorimin e mbrojtjes së fëmijëve dhe adoleshentëve në platformat e internetit, si pjesë e një trendi më të gjerë ndërkombëtar të rregullimit më të rreptë të rrjeteve sociale për të miturit.

Sipas vendimit të ANPD-së, ByteDance duhet të fshijë të dhënat personale të adoleshentëve, përfaqësimi ose ndihma ligjore e të cilëve nuk është e rregulluar brenda 60 ditëve pune dhe të informojë palët e treta të cilave u janë transferuar të dhënat.

Kompania duhet të ofrojë gjithashtu një raport teknik të nënshkruar nga zyrtari i mbrojtjes së të dhënave, si dhe një regjistër të auditimeve të sistemit që konfirmon pajtueshmërinë me kërkesat.

Në rast mosrespektimi të këtyre detyrimeve, ByteDance mund të gjobitet me një gjobë shtesë prej 137,081.49 reais (rreth 23,000 euro) në ditë.

Gjoba totale mund të ulet me 25 përqind nëse kompania heq dorë nga e drejta e ankimimit brenda 10 ditëve pune dhe e paguan gjobën brenda 20 ditëve pune, sipas ANPD.

Lini një koment