Wednesday, 26 August 2026
54°F Detroit
BallinaBotaBritania ndryshon udhëzimin për azilin e shqiptarëve të trafikuar, rastet do të vlerësohen individualisht

Britania ndryshon udhëzimin për azilin e shqiptarëve të trafikuar, rastet do të vlerësohen individualisht

LONDËR, 26 gusht, ATSH/ Britania e Madhe ka përditësuar udhëzimet për shqyrtimin e kërkesave për azil të shtetasve shqiptarë, pas një vendimi të Gjykatës së Apelit për Emigracionin që lidhet me viktimat meshkuj të trafikimit.

Vendimi, i shpallur më 13 gusht 2026, përcakton se viktimat meshkuj shqiptarë të trafikimit përbëjnë një “grup të veçantë shoqëror” në kuptim të Konventës së Refugjatëve. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se çdo viktimë përfiton automatikisht azil. Autoritetet britanike duhet të vlerësojnë rrezikun e persekutimit ose të dëmit serioz për secilin rast individual.

Sipas udhëzimit të ri të Home Office, viktimat meshkuj shqiptarë të trafikimit mund të përballen me rrezik të ritrafikimit ose hakmarrjes nga trafikantët pas kthimit në Shqipëri. Shkalla e këtij rreziku duhet të përcaktohet në bazë të rrethanave konkrete të secilit person.

Gjykata ka evidentuar disa faktorë që mund të rrisin cenueshmërinë ndaj trafikimit, përfshirë kushtet e vështira socio-ekonomike, mungesën e arsimit ose të një pune të ligjshme, moshën e re, mungesën e rrjetit familjar dhe të mbështetjes, si dhe origjinën nga zona rurale ose veriore të Shqipërisë.

Në të njëjtën kohë, gjykata vlerëson se Shqipëria ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për përmirësimin e mbrojtjes së viktimave të trafikimit dhe se, në përgjithësi, ofron një nivel të mjaftueshëm mbrojtjeje për viktimat meshkuj të rritur. Megjithatë, kjo mbrojtje nuk konsiderohet efektive në çdo rast dhe rrethanat individuale duhet të merren në konsideratë.

Vendimi parashikon gjithashtu se, në rastet kur një viktimë vazhdon të kërkohet nga trafikantët, zhvendosja brenda Shqipërisë jashtë qyteteve të mëdha mund të mos konsiderohet e sigurt. Për personat që kanë nevojë për strehim të posaçëm për t’u mbrojtur në zonën e origjinës, gjykata vlerëson se zhvendosja në një pjesë tjetër të vendit mund të mos jetë zgjidhje e sigurt.

Vendimi i ri vjen në një kohë kur shqiptarët mbeten ndër grupet më të mëdha të shtetasve të larguar me forcë nga Britania. Sipas të dhënave të cituara nga The Guardian, 2,247 shtetas shqiptarë u larguan nga Britania në 12 muajt deri në fund të marsit 2026, rreth një e katërta e të gjitha largimeve të detyruara.

Rasti që çoi në vendimin e ri lidhej me një 21-vjeçar shqiptar, i cili ishte trafikuar fillimisht në Belgjikë dhe më pas ishte sjellë në Britani, ku ishte detyruar të punonte në kultivimin e kanabisit. Edhe pse ishte njohur si viktimë trafikimi, kërkesa e tij për azil ishte refuzuar me argumentin se mund të kthehej në mënyrë të sigurt në Shqipëri. Gjykata arriti në përfundimin se ai vazhdonte të përballej me një rrezik real nga trafikantët.

Udhëzimi i ri i Home Office, i publikuar më 20 gusht, duhet të merret tashmë në konsideratë nga autoritetet britanike gjatë shqyrtimit të kërkesave për azil të viktimave meshkuj shqiptarë të trafikimit.

Lini një koment