BRUKSEL – BE miraton heqjen e sanksioneve ndaj oligarkëve rusë Usmanov dhe Fridman
BRUKSEL, 22 shtator /ATSH-DPA/ – Bashkimi Evropian ka rënë dakord të heqë sanksionet ndaj oligarkëve rusë Alisher Usmanov dhe Mikhail Fridman, deklaroi sot një diplomat i BE-së.
Vendimi u mor pas negociatash të gjata dhe pak para skadimit të afatit të mërkurën.
Disa shtete anëtare kishin kërcënuar se do të bllokonin zgjerimin e sanksioneve ndaj Rusisë, nëse nuk hiqeshin masat ndëshkuese ndaj dy oligarkëve.
Dokumentet zyrtare të BE-së e përshkruajnë Usmanovin si një “oligark pro-Kremlinit me lidhje veçanërisht të ngushta me presidentin rus Vladimir Putin”.
Ndërkohë, Fridman është përshkruar nga blloku evropian si “një financier i rëndësishëm rus dhe mundësues i rrethit të ngushtë të Putinit”.
Sanksionet e BE-së ndaj individëve dhe bizneseve ruse, të vendosura për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë, duhet të rinovohen në mënyrë periodike.
Heqja e planifikuar e sanksioneve ndaj Usmanovit dhe Fridmanit lidhet me një vendim për zgjatjen e masave ndëshkuese ndaj rreth 3 000 individëve, entiteteve dhe kompanive të tjera.
Këto sanksione pritej të skadonin në orët e para të së mërkurës. /Ad.Ab./ a.jor.