Friday, 2 October 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Kullat po ngrihen më shpejt se rregullat e zjarrit, rreziqet për ndërtesat mbi 100 metra

Kullat po ngrihen më shpejt se rregullat e zjarrit, rreziqet për ndërtesat mbi 100 metra

Kullat 30-40-katëshe po bëhen pjesë e peizazhit të Tiranës, por kuadri i sigurisë nga zjarri mbetet i ndërtuar kryesisht për objekte më të ulëta dhe më të thjeshta. Ekspertët e mbledhur në “Tirana Fire Safety 2026” kërkuan një qasje të re për ndërtesat e larta. Rreziqe të reja vijnë edhe nga fasadat moderne, bateritë, panelet fotovoltaike dhe karikimi i automjeteve elektrike. Për ndërtesat mbi 100 metra, edhe kodet europiane kanë kufizime. Për këtë arsye po përdoren gjithnjë e më shumë standarde ndërkombëtare dhe analiza të bazuara në performancë. Ekspertët kërkojnë që siguria të projektohet që në koncept. Një strategji e mirë në letër nuk mjafton pa kontroll gjatë ndërtimit dhe përdorimit të objektit. Shqipëria përballet me nevojën për një Kod Zjarri të ri dhe kapacitete më të forta për zbatimin e tij.

Blerina Hoxha

Tirana po ndryshon në lartësi me një ritëm që pak vite më parë do të dukej i pazakontë. Kullat mbi 100 metra tashmë janë të zakonshme, ndërsa projektet e reja po shkojnë drejt 150, 200 metrave dhe më tej.

Bashkë me lartësinë po shtohen parkimet me disa kate nëntokë, fasadat komplekse, sistemet e ventilimit dhe kontrollit të tymit, panelet fotovoltaike, bateritë dhe pikat e karikimit të automjeteve elektrike, të cilat rrisin premisat për rënie zjarri dhe vështirësitë për menaxhimin e tij.

Fakt është që zhvillimi i ndërtesave po ecën më shpejt se modernizimi i rregullave që duhet t’i bëjnë ato të sigurta nga zjarri.

Shqipëria ka legjislacion dhe rregulla për mbrojtjen nga zjarri, por ajo që ekspertët e mbledhur në konferencën “Tirana Fire Safety 2026”, nën kujdesin e Nikolin Risilisë, president i SFPE Albania (Shoqata e Inxhinierëve të Mbrojtjes nga Zjarri), evidentuan si boshllëk mungesën e një Kodi të unifikuar dhe bashkëkohor, të përshtatur për realitetin e ndërtesave të larta dhe komplekse.

Vendi po ndërton sot një tipologji ndërtesash shumë më të avancuar se ajo për të cilën janë konceptuar një pjesë e rregullave ekzistuese.

Z. Risilia e përmblodhi problemin pikërisht te ky hendek. Ritmi dhe kompleksiteti i zhvillimit urban, sipas tij, po sfidojnë kufijtë e kuadrit rregullator. Zjarret në pyje po afrohen me zonat urbane, ndërsa fasadat e reja, panelet diellore në çati dhe automjetet elektrike në parkingjet nëntokësore sjellin pyetje sigurie që nuk ekzistonin kur u hartuan shumë prej rregullave të trashëguara.

“Sot po ndërtojmë qytetet ku Shqipëria do të jetojë për 50 vitet e ardhshme”, ishte një nga mesazhet kryesore. Problemi nuk është vetëm që ndërtesat janë më të larta. Ato janë edhe shumë më të ndërlikuara.

Sigurjon Ingolfsson, inxhinier nga Arup, duke trajtuar kalimin e praktikës së sigurisë nga zjarri “nga horizontalja te vertikalja”, evidentoi se ndërtesat tradicionale dhe kullat kërkojnë qasje shumë të ndryshme. Në një ndërtesë të ulët ka më pak banorë, gjeometria është më e thjeshtë, koha e evakuimit është më e shkurtër dhe ndërhyrja e zjarrfikësve mund të bëhet nga brenda ose nga jashtë.

Ndërsa në një kullë mbi dhjetë kate, numri i njerëzve rritet, evakuimi zgjatet dhe mund të kërkojë dalje me faza, ndërhyrja e zjarrfikësve duhet të zhvendoset kryesisht brenda godinës dhe përhapja e zjarrit nga një kat në tjetrin bëhet më e vështirë për t’u kontrolluar. Sipas prezantimit të Ingolfsson, mbi rreth dhjetë kate, modeli tradicional i një ndërtese të ulët nuk është më i përshtatshëm.

Kodet kundër zjarrit janë emergjencë për Shqipërinë

Ingolfsson renditi disa nga projektet e ndërtesave të larta në Tiranë, ndër to “Downtown One”, me 150 metra dhe 40 kate, “Tirana Boulevard”, me 95 metra, “Mount Tirana”, me lartësi të parashikuar 210 metra, “Lepidoptera Tower”, rreth 140 metra, dhe “Albania Ring Rock”, 114 metra, me 30 kate mbi tokë dhe gjashtë nivele nëntokë.

Mirëpo, rregullat aktuale, të dizenjuara për pallate shumë të ulëta, nuk mjaftojnë për një kullë 30-40-katëshe. Një nga debatet kryesore të konferencës lidhej me dallimin mes rregullave preskriptive dhe projektimit të bazuar në performancë.

Për shembull, për ndërtesa standarde, kodet dhe rregullat përmes kërkesave të paracaktuara, me një gjerësi minimale shkalle, një numër të caktuar daljesh, një distancë të përcaktuar evakuimi, një lloj materiali apo një nivel të caktuar rezistence ndaj zjarrit, mund të funksionojnë mirë.

Por për një kullë 30 apo 40-katëshe, me përdorime të përziera, atriume, fasada të ventiluara, parkime të mëdha nëntokësore, ashensorë evakuimi dhe sisteme të presurizimit të shkallëve, situata bëhet shumë më komplekse. Këtu, sipas ekspertëve, rregulli nuk mund të jetë përgjigjja e vetme.

Piergiacomo Cancelliere, nga Shërbimi Kombëtar Italian i Zjarrfikësve, tregoi se Italia është përballur me të njëjtën dilemë. Për dekada, sistemi italian mbështetej kryesisht te rregulla të detajuara preskriptive, të hartuara për kategori të ndryshme ndërtesash dhe aktivitetesh.

Nga viti 2007 filluan të lejoheshin në mënyrë të kufizuar qasje të bazuara në performancë, ndërsa ndryshimi kryesor erdhi me Kodin Italian të Zjarrit të vitit 2015.

Kodi bashkoi në një sistem të vetëm vlerësimin e rrezikut, objektivat e sigurisë, nivelet e performancës, zgjidhjet standarde dhe zgjidhjet alternative inxhinierike.

Andrea Bartolini, drejtor i IM.TECH, e shpjegoi këtë qasje në mënyrë më praktike. Sipas tij, inxhinieria e sigurisë nga zjarri përdor shkencën, analizën dhe njohuritë teknike për të përcaktuar nivelin e duhur të sigurisë së një ndërtese.

Procesi përfshin identifikimin e skenarëve të mundshëm të zjarrit, përcaktimin e kritereve të performancës, shqyrtimin e alternativave dhe analizimin e tyre. Në këtë sistem, pyetja nuk është vetëm nëse projektuesi ka respektuar një rregull të shkruar, por nëse mund të demonstrojë se zgjidhja konkrete arrin nivelin e kërkuar të sigurisë.

Ky është edhe thelbi i argumentit të inxhinier Risilisë, i cili tha se për një ndërtesë të zakonshme mund të jetë e mjaftueshme që projektuesi të ndjekë një listë kërkesash, por për një kullë, përgjegjësia duhet të kalojë gjithnjë e më shumë te demonstrimi inxhinierik i sigurisë.

Sipas tij, kjo kërkon më shumë kontroll profesional. Fleksibiliteti nuk do të thotë shmangie nga rregullat, por analiza të dokumentuara, përgjegjësi të qarta dhe aftësi për të provuar se zgjidhja funksionon.

Edhe kodet europiane kanë kufizime për kullat mbi 100 metra

Problemi me ndërtesat shumë të larta nuk është vetëm shqiptar. Edhe shumë prej kodeve kombëtare europiane të sigurisë nga zjarri nuk janë zhvilluar duke pasur si realitet të zakonshëm kullat mbi 100 metra.

Sigurjon Ingolfsson evidentoi se edhe përkufizimi se kur një ndërtesë konsiderohet e lartë ndryshon ndjeshëm nga një vend në tjetrin. Pragu është 18 metra në Mbretërinë e Bashkuar, 22 metra në Gjermani, 25 metra në Belgjikë dhe 23 metra në SHBA.

Pavarësisht ndryshimit të pragjeve, parimi mbetet i njëjtë: sa më shumë rritet lartësia, aq më kompleks bëhen evakuimi, ndërhyrja e zjarrfikësve dhe kontrolli i zjarrit. Çështja bëhet edhe më e ndërlikuar kur ndërtesat kalojnë 100 metra.

Sipas Ingolfsson, disa vende, përfshirë disa shtete nordike, nuk kanë kode preskriptive që mbulojnë ndërtesat mbi kufij të caktuar lartësie. Kodet kombëtare europiane janë në përgjithësi më pak të orientuara drejt ndërtesave mbi 100 metra sesa kodet e Amerikës së Veriut, veçanërisht të SHBA-së, dhe ato të Azisë.

Për këtë arsye, Ingolfsson shpjegoi se Arupi është orientuar te NFPA 5000 si një nga standardet bazë për projektimin e ndërtesave të kësaj kategorie. Në përmbledhjen e prezantimit, ai thekson se kodet europiane rrallë adresojnë ndërtesat mbi 100 metra dhe se, për ndërtesat shumë të larta, NFPA 5000 dhe NFPA 101 përdoren si standarde bazë.

Kjo është e rëndësishme për debatin në Shqipëri, sepse zgjidhja nuk mund të jetë thjesht përkthimi mekanik i një rregulloreje europiane. Këtë kod e ka krijuar Shoqata Kombëtare e Mbrojtjes nga Zjarri (NFPA – National Fire Protection Association), e themeluar në SHBA që në vitin 1896.

Kodi konkret NFPA 5000 u hartua dhe u publikua për herë të parë në vitin 2002 dhe parashikon një integrim shumë më të thellë të kritereve specifike të mbrojtjes nga zjarri.

Tirana po hyn tashmë në kategorinë e lartësive ku edhe vendet me sisteme rregullatore shumë më të konsoliduara përdorin kombinime standardesh, analiza inxhinierike dhe projektim të bazuar në performancë.

Kodi shqiptar, për këtë arsye, duhet të përcaktojë jo vetëm rregullat standarde, por edhe se kur një ndërtesë kalon në një kategori ku kërkohen analiza të posaçme, cilat standarde ndërkombëtare mund të përdoren dhe si do të kontrollohen zgjidhjet alternative.

Për një kullë, siguria duhet të nisë që në koncept

Një tjetër pikë që Ingolfsson e vuri në qendër të prezantimit ishte momenti kur duhet të fillojë projektimi i sigurisë nga zjarri. Sipas tij, strategjia nuk mund të jetë një dokument që i shtohet ndërtesës pasi arkitektura është përfunduar.

Për ndërtesat e larta, vendime që ndikojnë drejtpërdrejt te siguria duhet të merren që në koncept.

Për ta ilustruar këtë, Ingolfsson solli një rast studimor për një kullë rreth 100 metra të lartë në Tiranë, me përdorim të përzier. Ndërtesa kishte dy deri në tre nivele parkimi nëntokë, dy bërthama shkallësh, secila me holl të posaçëm për zjarrfikësit, si dhe ashensorë për pasagjerë dhe evakuim.

Si bazë projektimi u përdorën NFPA 5000 Building Construction and Safety Code dhe NFPA 101 Life Safety Code, në versionet e vitit 2024.

Që në fazën kur përcaktohet forma e ndërtesës duhet të vendosen numri, madhësia dhe pozicioni i rrugëve të daljes. Sipas Ingolfsson, kullat e holla dhe sipërfaqet e kufizuara të kateve krijojnë sfida shtesë.

Në koncept duhet të përcaktohen gjithashtu bërthamat e shkallëve, dimensionimi i tyre, pajisjet për zjarrfikësit, rezistenca strukturore ndaj zjarrit dhe strategjia e evakuimit. Rasti studimor parashikonte dy bërthama, evakuim me faza, zona strehimi, sprinklerë dhe ventilim mekanik.

Këto janë elemente që nuk mund t’i shtohen lehtësisht një kulle pasi struktura është ngritur.

Në përmbledhjen e prezantimit, Ingolfsson e vendosi këtë mes mesazheve kryesore: numri dhe pozicioni i bërthamave, dimensionet e shkallëve, zonat e strehimit dhe aksesi i zjarrfikësve duhet të përcaktohen që në fazën e konceptit, pasi ndryshimet e mëvonshme janë të kushtueshme.

Në Tiranë, parcelat e ngushta pengojnë ndërhyrjen për fikjen e zjarrit

Lartësia nuk është e vetmja veçori që e bën projektimin e kullave në Tiranë më kompleks. Shumë prej tyre ndërtohen në zona me dendësi të lartë, ku ndërtesat janë afër njëra-tjetrës dhe hapësira për automjetet e emergjencës është e kufizuar.

Sigurjon Ingolfsson evidentoi se në fazën e projektimit duhet të kontrollohen distancat e evakuimit, daljet në dispozicion, materialet e fasadës, kompartimentimi, mundësia e përhapjes së zjarrit jashtë ndërtesës dhe distanca nga objektet fqinje.

Por në prezantim ai veçoi edhe një problem specifik për Shqipërinë: parcelat janë shpesh të ngjeshura dhe ofrojnë hapësirë të kufizuar për afrimin e mjeteve zjarrfikëse.

Në një shembull tjetër për një kullë rezidenciale 120 metra, me hapësira tregtare në bazament dhe disa kate parkimi nëntokë në Tiranë, Ingolfsson evidentoi vështirësinë e vendosjes së bërthamave të shkallëve dhe të aksesit të mjeteve zjarrfikëse.

Në material ngrihet edhe pyetja se sa të pajisura janë strukturat shqiptare të zjarrfikësve për ndërhyrjen në ndërtesa të larta.

Për objekte të tilla, sipas prezantimit, shuarja e zjarrit duhet të bëhet nga brenda ndërtesës. Kjo ndryshon filozofinë e projektimit. Ndërtesa duhet t’u krijojë zjarrfikësve një rrugë të mbrojtur për t’u ngjitur, infrastrukturën e nevojshme për ndërhyrje dhe kushte që zjarri të mbahet nën kontroll për kohën e nevojshme.

Në ndërtesat e larta, një nga rreziqet kryesore nuk është vetëm flaka, por tymi

Bryan Klein, Senior Support Engineer në Thunderhead Engineering dhe themelues i Apex Erudition, tregoi se ndërtesat moderne kanë sisteme që ndërveprojnë me njëra-tjetrën në mënyrë shumë më komplekse se në ndërtesat tradicionale. Dyert hapen gjatë evakuimit, kanalet e ventilimit ndryshojnë regjimin e punës, boshtet e shkallëve dhe ashensorëve lidhin dhjetëra kate dhe diferencat e temperaturës ndryshojnë presionin e ajrit brenda ndërtesës.

Një projekt i gabuar i kontrollit të tymit mund t’i bëjë të papërdorshme pikërisht rrugët e evakuimit që në letër janë parashikuar për të shpëtuar njerëzit. Për këtë arsye përdoren gjithnjë e më shumë modele kompjuterike që simulojnë lëvizjen e ajrit, tymit dhe nxehtësisë.

Por edhe këtu nuk ka një përgjigje automatike. Klein nënvizoi se modele të ndryshme kanë avantazhe dhe kufizime të ndryshme dhe se rezultatet duhet të verifikohen e të mbështeten me prova. Një model që funksionon për presurizimin e një shkalle nuk është automatikisht i vlefshëm për nxjerrjen e tymit nga një atrium.

Kjo e rrit kërkesën jo vetëm për kode të reja, por edhe për profesionistë që janë në gjendje t’i përdorin këto metoda dhe për institucione që mund t’i kontrollojnë ato.

Fasadat moderne po rrisin rreziqet

Angelos Zografos, Technical Sales Engineer në Elval Colour, argumentoi se gabimi më i zakonshëm është të shihet vetëm materiali që duket nga jashtë fasadës. Në realitet, fasada është një sistem i përbërë nga veshja e jashtme, izolimi termik, nënstruktura, hapësira e ajrit, barrierat kundër zjarrit, elementet e fiksimit dhe detajet përreth dritareve.

Sjellja e saj ndaj zjarrit varet nga mënyra se si të gjitha këto elemente funksionojnë së bashku. Në prezantim u soll shembulli i një ndërtese 32-katëshe dhe 106 metra të lartë. Veshja e jashtme prej alumini ishte jo e djegshme, por izolimi prej poliuretani ishte i djegshëm.

Kombinimi i materialeve me projektimin e pamjaftueshëm çoi në dështimin e sistemit.

Pra, një certifikatë e mirë për një material të vetëm nuk garanton automatikisht që fasada e plotë do të sillet mirë në zjarr. Zografos solli edhe prova në shkallë të madhe ku ndryshimi i vetëm një elementi, për shembull izolimit, ndryshonte ndjeshëm rezultatin e testit.

Në raste të tjera, edhe një veshje me klasifikim shumë të mirë nuk ishte e mjaftueshme që i gjithë sistemi të kalonte provën.

Sigurjon Ingolfsson e përfshiu gjithashtu fasadën mes rreziqeve të reja me të cilat përballen ndërtesat e larta. Fasadat e projektuara posaçërisht, së bashku me karikimin e automjeteve elektrike, bateritë, gjeometritë komplekse dhe ndërveprimin mes sistemeve, janë fusha ku teknologjia po ecën më shpejt se udhëzimet preskriptive.

Automjetet elektrike dhe parkimet nëntokësore sjellin rreziqe të reja

Ndërtesat e reja po ndryshojnë edhe nga mënyra si përdoren. Karikimi i automjeteve elektrike, bateritë, panelet fotovoltaike dhe sistemet e reja energjetike janë ndër rreziqet që ekspertët renditën si sfida në rritje.

Sigurjon Ingolfsson renditi karikimin e automjeteve elektrike, instalimet e baterive, zjarret pyjore, fasadat e personalizuara, gjeometritë e ndërlikuara dhe ndërveprimin e sistemeve mes tendencave të reja që po e ndryshojnë strategjinë e sigurisë së ndërtesave të larta.

Cancelliere dha të njëjtin argument nga përvoja italiane. Tranzicioni energjetik po sjell fotovoltaikë, lëvizshmëri elektrike, bateri, materiale të reja izolimi dhe sisteme ndërtimore më komplekse. Këto teknologji nuk duhet të ndalohen për shkak të rrezikut nga zjarri, por rreziku duhet të futet brenda projektimit. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për kullat e Tiranës, ku parkimet shpesh vendosen në disa kate nën tokë.

Në rastin studimor për Tiranën, Ingollson përfshiu në mënyrë specifike projektimin e kontrollit të tymit dhe strategjinë e ventilimit të parkimit nëntokësor. Në këto hapësira, tymi nuk mund të largohet natyrshëm si në një ambient të hapur.

Projektimi duhet të marrë parasysh ventilimin, largimin e tymit, kompartimentimin, aksesin e zjarrfikësve dhe rrugët e sigurta të daljes.

Zjarri i pyjeve po afrohet me zonat e banuara

Një tjetër ndryshim është se siguria nga zjarri nuk mund të trajtohet më vetëm brenda kufijve të ndërtesës. Nikolaos Kalogeropoulos trajtoi në konferencë marrëdhënien mes zgjerimit urban dhe zjarreve pyjore.

Në modelimin e zjarrit merren në konsideratë topografia, era, karakteristikat e bimësisë dhe të kurorës së pemëve, për të llogaritur shpejtësinë e përhapjes, gjatësinë e flakës dhe intensitetin e zjarrit. Por ajo që ka rëndësi për urbanistikën është koha që i mbetet një komuniteti për t’u larguar.

Kalogeropoulos prezantoi konceptin e kufijve të evakuimit, ose “trigger boundaries”. Kur një zjarr nis të afrohet me një zonë të banuar, ekziston një pikë pas së cilës koha e mbetur mund të mos jetë më e mjaftueshme për një largim të sigurt. Kjo do të thotë se numri i rrugëve të daljes, kapaciteti i tyre dhe mënyra si ndërtohet një zonë e re janë pjesë e sigurisë nga zjarri po aq sa materialet e ndërtesës.

Në materialet e konferencës, për zonat e ekspozuara ndaj zjarreve rekomandohen dy rrugë daljeje për çdo vendbanim, hapësira ku mjetet zjarrfikëse mund të kthehen dhe kalojnë, rezervuarë statikë uji dhe zona sigurie të identifikuara qartë. Dalja nga deti nuk konsiderohet si rrugë parësore evakuimi.

Vetë modelimi ka pasiguri. Kalogeropoulos tregoi se modele të ndryshme mund të parashikojnë ndryshe përhapjen e të njëjtit zjarr dhe, për rrjedhojë, edhe nivelin e rrezikut për komunitetin. Për këtë arsye rekomandohet përdorimi i disa modeleve në analizën e rrezikut, jo mbështetja vetëm te njëri.

Në kushtet e Shqipërisë, ku zgjerimi rezidencial dhe turistik po shtrihet gjithnjë e më shumë drejt zonave natyrore, kufiri mes zjarrit pyjor dhe zjarrit urban po bëhet më pak i qartë.

Kodi duhet të vijë para tragjedisë, jo pas saj

Në këtë pikë ndërthuren pothuajse të gjitha ndërhyrjet e ekspertëve. Joshua Reichert, Chief Engineer i SFPE, e formuloi çështjen si zgjedhje mes një sistemi proaktiv dhe një sistemi reaktiv. Një sistem proaktiv, sipas tij, duhet të ketë gjashtë elemente: të hartojë ose adoptojë një Kod

Zjarri të përshtatur për Shqipërinë, ta bëjë atë ligjërisht të detyrueshëm, të financojë inspektimin dhe zbatimin, të trajnojë profesionistët, të krijojë bashkëpunim ndërmjet inxhinierëve, arkitektëve, ligjvënësve dhe shërbimit zjarrfikës, si dhe ta përditësojë vazhdimisht kodin.

Mesazhi i tij ishte se Kodi nuk duhet të shkruhet pasi një tragjedi të ketë treguar se çfarë nuk funksionoi.

Kodi i shkruar nuk mjafton

Në materialin e tij, Reichert sjell një dallim të rëndësishëm. Një gjë tjetër është të kesh një kod të shkruar dhe të ligjëruar dhe krejt tjetër gjë që ai të zbatohet në mënyrë të njëjtë në çdo bashki, të ketë inspektorë të trajnuar dhe kapacitete reale kontrolli.

Të njëjtën çështje, nga këndvështrimi i projektimit dhe ndërtimit, e ngriti edhe Sigurjon Ingolfsson. Një strategji e mirë kundër zjarrit mund të humbasë gjatë kalimit nga projekti në kantier. Strategjia duhet të koordinohet me sistemet mekanike, elektrike dhe hidraulike, sprinklerët, kontrollin e tymit, detektimin, alarmimin dhe hidrantët.

Në prezantimin e tij theksohet se pikërisht në kalimin e projektit te kontraktori janë evidentuar probleme në të kaluarën.

Në përmbledhjen e prezantimit, Ingolfsson thekson se strategjia e zjarrit është aq e mirë sa zbatimi i saj: nevojiten koordinim me sistemet teknike, një kalim i qartë i informacionit te kontraktori, monitorim gjatë ndërtimit dhe kontroll gjatë dorëzimit të objektit.

Të njëjtën logjikë ndjek edhe sistemi italian që prezantoi Cancelliere. Siguria nuk mbyllet në momentin kur jepet leja e ndërtimit. Për aktivitetet më komplekse, projekti kontrollohet përpara zbatimit, ndërsa gjatë përdorimit të ndërtesës, ndryshimet që ndikojnë te rreziku nga zjarri kërkojnë rishikim të dokumentacionit ose vlerësim të ri.

Për Shqipërinë, Reichert propozoi si hap konkret ngritjen e një komiteti të përbashkët teknik ose nisjen e një projekti pilot për adoptimin e Kodit të Zjarrit, ku inxhinierët të kontribuojnë në analizën teknike dhe vlerësimin e rrezikut, arkitektët ta integrojnë sigurinë që në fazën e projektimit dhe ligjvënësit të krijojnë bazën ligjore, financimin e zbatimit dhe afatet për ndërtesat ekzistuese.

Lini një koment