E shtunë, 28 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Abissnet Superiore›“Çdo fitore si Dita e Pavarësisë”, Laszlo ul euforinë e Vllaznisë: Nuk do doja që Balaj të ishte 35 vjeç

“Çdo fitore si Dita e Pavarësisë”, Laszlo ul euforinë e Vllaznisë: Nuk do doja që Balaj të ishte 35 vjeç

Pas dy fitoreve radhazi, Vllaznia kërkon të vijojë serinë pozitive edhe ndaj Laçit. Në prag të këtij dueli, trajneri i kuqebluve, Csaba Laszlo, kërkon përqendrim maksimal, larg çdo euforie, duke vlerësuar forcën e kundërshtarit dhe duke theksuar se skuadra duhet të mbetet me këmbë në tokë për të arritur objektivat e saj.

Dy fitore radhazi, atmosfera më e qetë në skuadër?

Jo, aspak më i qetë se më përpara, nuk mund të them se jam nervoz, por kam mendjen tek dueli tjetër. Duhet të jemi jo 100% të përqendruar, por 1000%, nuk dua të shoh askënd të marrë lehtë asgjë. S’kemi bërë diçka të madhe, pasi ekipet në kampionat janë aty aty dhe mund të arrijnë dhe rrëzojnë poshtë gjithë mundin që ke bërë. Ndaj duhet fokus total, vlerësim i çdo situate e momenti për të ruajtur balancën. E kam vënë re që shqiptarët konsumojnë shumë duhan dhe Red Bull, por kur pini Red Bull ai nuk iu bën të fluturojë realisht. Është thjesht metaforë dhe si e tillë duhet të qëndrojë edhe për ne. Jemi ende shumë larg asaj çfarë kërkojmë dhe gjërat merren me radhë, ku duhen harruar sukseset e së shkuarës dhe fokusohesh tek e tashmja dhe e ardhmja.

Shikoni ndonjë eufori të madhe gjatë kësaj jave me këto që po thoni?

Edhe mund të ketë e kjo është disi e kuptueshme, por jam unë ai që kthej me “këmbë në tokë” të gjithë. S’ka kohë ende për festë e për fjalë të mëdha, ja erdhi dueli me Laçin ku do kemi disa mungesa për arsye të ndryshme. Përqendrimi kalon se si do veprojë skuadra, si duhet t’i mbulojë këto mungesa që të bëjmë një performancë pozitive. Këto gjëra duhen menduar dhe jo të ketë eufori apo ndonjë emocion të madh tjetër. Ka ende shumë rrugë përpara e duhet të jenë të gjithë të përgatitur.

Mesazhe të drejtpërdrejta ndaj futbollistëve, një ditë para këtij dueli është Vllaznia gati?

Futbollistët i dinë mirë këto fjalë që po them para jush (medias), nuk janë të padëgjuara për ta. Nuk kam një formacion vetëm, kam shumë lojtarë nën dispozicion që duhet të shkojnë në sinkron me mendimet e mija, ndryshe do kemi “probleme”. E kuptova që e pyetët për formacionin pak më përpara Latifin e ato janë gjëra që qëndrojnë brenda skuadrës sepse një detaj i vogël mund të bëjë të ndryshojë gjithçka në minutën e fundit. Normalisht ne jemi gati, duam më të mirën për klubin, objektivat që kemi e po ashtu për futbollistët dhe stafin që mbështet. Por, me fokus, me qetësi e shumë djersë, ky është stili im i punës dhe që kam aplikuar në të gjitha ekipet ku kam drejtuar.

Statistikat ndaj Laçit tregojnë shumë balancë mes dy ekipeve, i frikësoheni?

Pikërisht përgjigjen e keni brenda pyetjes suaj, nuk duhet të shohim aspak emrin e kundërshtarit. Një ekip me emër më të vogël mund të të mposhtë shumë më kollaj se një ekip i “madh” nëse e nënvlerëson dhe nuk je në maksimumin tënd. Ndaj them, duhet të jemi në 1000% jo në 100%, pasi Laçi është një skuadër e fortë, e ndërtuar mirë dhe që di të luajë futboll. Llogaritë do i bëjmë pas ndeshjes, s’kam qejf të mendoj pikët pa i marrë ato në fushë se ndryshe mund të surprizohemi negativisht në fund të 90-minutëshit.

Pa Dros dhe Obina kundër Laçit, do jetë një problem në mesfushë?

Shpresoj të kemi futbollistë si Latifi që vijnë dhe bëjnë mirë kur paraqiten titullarë. Ne do kemi dy mungesa si shkak kartonësh dhe jemi të detyruar të marrim masat. Megjithatë nuk frikësohem, sepse në ekip janë emra si Qato, Mehmeti apo edhe të tjerë që mund të luajnë. Futbollistë që kanë cilësi dhe që do dinë të shprehen siç duhet në fushën e lojës. Kam besimin e duhur tek të gjithë ata që do zbresin në fushë, ku gjithçka do vendoset sot (dje) në seancën e fundit stërvitore. Ndaj çdokush që zbret në fushën e lojës duhet të jetë i përgatitur në maksimum për të dhënë gjithçka nga vetja e tij.

Kapiteni Balaj së fundmi ishte përfaqësues si ambasador për Euro U-21, një krenari dhe motivim për ekipin?

Bekim Balaj e meriton nderimin që iu bë me pjesëmarrjen në shortin e europianit dhe përzgjedhjen si ambasador i turneut. Ai është një figurë e madhe e futbollit shqiptar, me kontributin që ka dhënë dhe vijon të japë sepse është një futbollist ende aktiv. Jo vetëm një kapiten, por lider dhe profesionist në maksimum dhe ne jemi krenarë dhe me fat që e kemi në skuadër. Do doja që ai të ishte 25 vjeç dhe jo 35 (qesh), por patjetër koha ikën për të gjithë. Ai është shembull për brezat e rinj, se si duhet të jetë një futbollist, se si arrihet në nivelet më të larta dhe se si arrihen sukseset. Edhe familja e tij patjetër është krenare sepse ka rritur një njeri që i duhet shoqërisë e më pas një futbollist që duhet marrë shembull nga të gjithë.

Dueli do luhet në Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, do e kthejnë kuqeblutë në festë këtë ndeshje?

Për ne çdo fitore do ishte si dita e pavarësisë (qesh). Përtej humorit uroj gjithë shqiptarët për festën, sepse e di çfarë populli krenarë janë dhe sa shumë e duan vendin e tyre. Patjetër ne do festojmë përpara, por uroj që festën e vërtetë ta kemi pas ndeshjes me Laçin. Ku ne duam të marrim fitoren e ecim në rrugën e duhur, por siç e thashë më përpara, me grintën, dëshirën dhe sakrificën e duhur. Ta kthejmë gjithë ditën pastaj në një festë të vërtetë.

Lini një koment