E premte, 13 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›CENTCOM e mohon pretendimin e Iranit për shkatërrimin e radarit amerikan në Bahrejn

CENTCOM e mohon pretendimin e Iranit për shkatërrimin e radarit amerikan në Bahrejn

Komanda Qendrore e Ushtrisë Amerikane, CENTCOM, e ka mohuar pretendimin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) se ajo e kishte shkatërruar një radar amerikan për paralajmërim të hershëm në Bahrejn, në shenjë hakmarrjeje për një sulm ajror gjatë natës ndaj një porti pranë Ngushticës së Hormuzit.

“IRGC-ja lëshoi dy dronë sulmues drejt Bahrejnit dhe të dy u rrëzuan nga forcat amerikane. Nuk pati të lënduar apo dëme materiale”, tha CENTCOM-i.

Ishin mediat shtetërore iraniane ato që pretenduan fillimisht se ishte shkatërruar një radar amerikan të premten. Në një deklaratë më vonë, IRGC-ja tha se sulmi ishte kryer “në përgjigje të agresionit ajror të armikut kundër një kulle telekomunikacioni në Sirik”.

Më herët, agjencia zyrtare iraniane e lajmeve, IRNA raportoi se Siriku ishte goditur nga një sulm i “armikut”. Agjencia nuk e identifikoi autorin e sulmit dhe nuk dha hollësi për dëme apo viktima të mundshme.

Në deklaratën e vet, IRGC-ja nuk i fajësoi drejtpërdrejt Shtetet e Bashkuara për sulmin e pretenduar në Sirik.

CENTCOM-i nuk e përmendi sulmin e pretenduar ndaj Sirikut, i cili ndodhet në bregdetin e Hormuzit dhe është baza e një pjese të rrjetit iranian të radarëve dhe komunikimit për mbikëqyrjen e kësaj rruge detare. Ky qytet është goditur disa herë që nga fillimi i luftës, më 28 shkurt, nga sulmet amerikane dhe izraelite.Teherani ka raportuar më parë për sulme ndaj infrastrukturës së telekomunikacionit në këtë qytet dhe është kundërpërgjigjur me sulme ndaj objekteve amerikane në Bahrejn, ku ndodhet Flota e Pestë e Marinës amerikane.

Shkëmbimi i fundit i sulmeve vjen një ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se Uashingtoni nuk ka më nevojë për marrëveshje me Teheranin.

“Nuk kemi nevojë për marrëveshje me Iranin. Ato ditë kanë kaluar prej kohësh”, shkroi Trump në rrjetin e tij Truth Social më 12 nëntor. “Ne i kemi paratë e tyre, qindra miliarda dollarë, dhe e kemi Ngushticën e tyre!”

Në të njëjtin postim, Trump tha se i kishte kërkuar nënpresidentit JD Vance që ta përqendronte “tërë vëmendjen e tij” te ajo që ai e cilësoi si korrupsion dhe kriminalitet në qytetet dhe shtetet e drejtuara nga demokratët.Vance kishte shpenzuar muaj të tërë duke udhëhequr përpjekjet amerikane për të siguruar një armëpushim dhe për t’i ringjallur bisedimet bërthamore me Iranin.

Ky zhvillim erdhi një ditë pasi gazeta The Ëall Street Journal raportoi se Vance po shqyrtonte mundësinë e zhvillimit të bisedimeve të drejtpërdrejta me një zyrtar të lartë të sigurisë së Iranit.

Shayan Samii, analist i sigurisë kombëtare me bazë në SHBA, tha për Radion Farda të Radios Evropa e Lirë se Trump duket se po ndjek një politikë “as të luftës, as të negociatave”.

“Trump tani po përpiqet ta arrijë përmes presionit ekonomik atë që nuk do të mund ta arrinte përmes një ndërhyrjeje ushtarake”, tha Samii. “Ai nuk e ka përjashtuar ndërhyrjen ushtarake si mundësi”.

Ai shtoi se anashkalimi i Vance tregon se Trump ia ka “besuar çështjen e luftës” sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, dhe sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth.

Sipas Samiit, mesazhet kontradiktore nga Teherani po e dëmtojnë gjithashtu besueshmërinë e Iranit.

“Kur [ministri i Jashtëm Abbas] Araqchi thotë se do të negociojmë, ndërsa [zyrtari i sigurisë] Mohsen Rezaei thotë se nuk do të ketë negociata derisa Amerika t’i pranojë shtatë kushtet tona, udhëheqësit botërorë arrijnë në përfundimin se në Republikën Islamike nuk ka ‘vendimmarrës të besueshëm’”, tha ai.

Kushtet përfshijnë përfundimin e bllokadës detare amerikane ndaj Iranit, lirimin e aseteve të ngrira iraniane dhe ndalimin e luftimeve në të gjitha frontet. Rezaei ka këmbëngulur se Uashingtoni duhet t’i pranojë kërkesat e Teheranit para se të rifillojnë negociatat ose të rihapet Ngushtica e Hormuzit.

Trump paralajmëroi gjithashtu se Irani “nuk do të ekzistojë edhe për shumë kohë”, nëse vret ndonjë zyrtar të lartë amerikan. Deklarata e tij pasoi raportimet se sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, ishte zhvendosur në një bazë ushtarake për shkak të kërcënimeve iraniane.

Lini një koment