Wednesday, 24 June 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperia“Çmontohet” grupi që tregtonte armë dhe eksploziv në Tiranë

“Çmontohet” grupi që tregtonte armë dhe eksploziv në Tiranë

Policia e Tiranës ka finalizuar këtë të mërkurë, 10 qershor, operacionin e koduar “Rrjeti”, i zhvilluar nga Komisariati Nr. 4 në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, me objektiv goditjen e një grupi kriminal që merrej me shitjen e armëve të zjarrit, lëndëve plasëse dhe municionit luftarak në kryeqytet.

Si rezultat i operacionit, së fundmi janë arrestuar 4 persona, ndërsa 2 të tjerë janë shpallur në kërkim.

Sipas policisë, gjatë hetimeve dhe ndërhyrjeve të kryera në disa faza, në total janë vënë në pranga 9 persona dhe janë sekuestruar 17 armë zjarri, 4 kallëpë lëndë plasëse, sasi e konsiderueshme municioni luftarak, 4 automjete dhe 13 aparate celularë.

Janë vënë në pranga shtetasit: M. V., 35 vjeç, E. M., 25 vjeç, F. Z., 29 vjeç dhe K. B., 32 vjeç. Ndërkohë, në kërkim janë shpallur K. V., 21 vjeç dhe B. A., 28 vjeç.

Të dyshuarit, të organizuar si grup kriminal, siguronin dhe shpërndanin armë zjarri, eksploziv dhe municion në zona të ndryshme të Tiranës.

Në total, gjatë gjithë operacionit janë sekuestruar 7 armë zjarri (4 pistoleta dhe 3 automatikë), si dhe prova të tjera materiale që pritet të shërbejnë për zbardhjen e plotë të aktivitetit kriminal.

Policia bën me dije se hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet, si dhe për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së tij kriminale.


/tvklan.al

Lini një koment