“Corriere della Sera”: Pas humbjes së republikanëve, si do të qeverisë Trump në dy vitet e fundit të mandatit?
– Humbja e zgjedhjeve të mesmandatit nuk e largon Donald Trump nga Shtëpia e Bardhë, por e kufizon hapësirën e tij për të qeverisur, sipas një analize të medisa italiane “Corriere della Sera”.
Presidenti amerikan do të qëndrojë në detyrë edhe për dy vjet, por do të përballet me një Kongres të kontrolluar nga demokratët.
Sipas planit të emergjencës, të përgatitur që në prill nga bashkëpunëtorët e tij, veçanërisht nga drejtori i Zyrës së Buxhetit, Russell Vought, Trump do të përqendrohet në fushat ku mund të veprojë pa miratimin e Kongresit.
Në këtë plan përfshihen vendosja e tarifave të reja doganore, veçanërisht për metalet e rralla dhe turbinat e erës, politika e jashtme, ndërhyrjet në industri e tregti dhe ndryshimet në funksionimin e agjencive federale.
Një nga masat e parashikuara është edhe ashpërsimi i kufizimeve për vizat e punës dhe të studimit.
Megjithatë, administrata do të ketë një problem të madh, financimin e qeverisë.
Kushtetuta amerikane i jep Kongresit kompetencën për të miratuar shpenzimet publike.
Për këtë arsye, Trump po përpiqet të sigurojë miratimin e një pakete të rëndësishme financimi, veçanërisht për ushtrinë, nga Kongresi aktual, përpara se parlamenti i ri të nisë punën më 3 janar.
Vetoja presidenciale dhe mundësia e kompromisit
Pas marrjes së detyrës nga Kongresi i ri, pritet një përplasje mes presidentit dhe demokratëve.
Këta të fundit mund të miratojnë ligje, që synojnë të anulojnë urdhra ekzekutivë të Trump ose të zgjerojnë programet sociale.
Presidenti mund t’i bllokojë këto nisma përmes vetos, e cila mund të kapërcehet vetëm nëse dy të tretat e anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit votojnë kundër saj.
Kjo situatë mund të sjellë bllokim të procesit ligjvënës dhe dobësim të mëtejshëm të institucioneve deri në zgjedhjet presidenciale të vitit 2028.
Megjithatë, mundësia e marrëveshjeve nuk përjashtohet.
Demokrati Hakeem Jeffries, i cili pritet të marrë drejtimin e Dhomës së Përfaqësuesve, ka zhvilluar takime konfidenciale me Jared Kushner, dhëndrin dhe negociatorin e Trumpit, për të shqyrtuar fusha ku mund të arrihet mirëkuptim.
Ndër temat e mundshme për kompromis përmenden politikat e strehimit dhe reforma e drejtësisë penale.
Ku do të ketë Trump më shumë liri veprimi?
Sipas analizës, presidenti do të ketë më shumë hapësirë për të vepruar në politikën e jashtme dhe në fushën ushtarake.
Ai mund të përpiqet të tregojë se vazhdon të kontrollojë situatën, duke marrë iniciativa të reja në Gjirin Persik, duke intensifikuar dialogun me presidentin kinez Xi Jinping dhe atë rus Vladimir Putin, me të cilët pritet të takohet në Kinë.
Autori përmend edhe mundësinë e një ndërhyrjeje të befasishme kundër Kubës, si mënyrë për të larguar vëmendjen nga problemet e brendshme.
Kush do ta përcaktojë pasuesin e Trump?
Një tjetër sfidë për presidentin do të jetë marrëdhënia me republikanët.
Brenda partisë ka pasur prej kohësh pakënaqësi, të cilat mund të bëhen më të dukshme pas humbjes së zgjedhjeve.
Sipas “Corriere della Sera”, Trump mund të mos ketë më të njëjtën mundësi për të përcaktuar vetë kandidatin, që do ta pasojë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2028.
Edhe zëvendëspresidenti JD Vance del i dobësuar nga zgjedhjet, pasi ishte angazhuar fort në fushatën elektorale.
Ndërkohë, brenda Partisë Republikane mund të hapet një garë më e gjerë mes konservatorëve tradicionalë dhe fraksioneve të ndryshme të lëvizjes MAGA, përfshirë të rinjtë populistë të së djathtës së re, nacionalistët e krishterë dhe përfaqësuesit e industrisë së teknologjisë në Silicon Valley.
Edhe pse një pjesë e establishmentit republikan, mund të kërkojë rikthimin te vlerat tradicionale konservatore, Trump ka ndryshuar tashmë identitetin politik të partisë, duke e orientuar drejt populizmit dhe një qasjeje më ndërhyrëse të shtetit në ekonomi.
Çfarë mund të bëjnë demokratët?
Marrja e kontrollit të të dyja dhomave të Kongresit, u jep demokratëve mundësinë të nisin hetime ndaj zyrtarëve të administratës dhe të shqyrtojnë procedura për shkarkimin e presidentit.
Megjithatë, largimi i tij nga detyra do të mbetej i vështirë, pasi kërkon mbështetjen e dy të tretave të Senatit.
Demokratët mund të pengojnë gjithashtu emërimet në poste të rëndësishme federale, përfshirë gjyqtarët dhe drejtuesit e agjencive, si dhe ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.
Sipas analizës, sfida e tyre do të jetë të vendosin nëse do të përqendrohen te hetimet dhe përplasjet me administratën Trump apo do të përpiqen të ndërtojnë një alternativë politike për zgjedhjet e vitit 2028.
Brenda partisë mbetet edhe përplasja mes krahut të moderuar dhe atij më radikal. /