Monday, 19 October 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Deklarata e ndërkombëtarëve për situatën në Shqipëri, Alibeaj: Po na thonë që disa gjëra zgjidhini vetë

Deklarata e ndërkombëtarëve për situatën në Shqipëri, Alibeaj: Po na thonë që disa gjëra zgjidhini vetë

Enkelejd Alibeaj, i ftuar në studion e lajmeve në Vizion Plus, në edicionin maratonë të moderuar nga Aleksandër Furxhi, ka komentuar qëndrimet ndërkombëtare mbi situatën aktuale në Shqipëri.

Alibeaj tha se deklaratat janë disi të ftohta, por duhet pasur parasysh se ndërkombëtarët thonë që disa gjëra duhet t’i zgjidhin edhe vetë shqiptarët.

Sa u përket qëndrimeve kritike publike në Shqipëri ndaj këtyre deklaratave, Alibeaj tha se kjo nuk është gjë e keqe, pasi tregon njëfarë pavarësie.

Pjesë nga biseda:

Furxhi: Çfarë ka ndodhur që jemi sot në Shqipëri, ku në sferën publike formulohen edhe qëndrime mjaft kritike ndaj deklaratave të ndërkombëtarëve?

Alibeaj: Kam përshtypjen se kanë ndodhur dy gjëra. Ndërkombëtarët e sotëm nuk janë më si ata të dikurshmit, që ishin shumë të pranishëm dhe forca e të cilëve ishte përcaktuese. Por, nëse doni, edhe për shkak të një thirrjeje të brendshme të shoqërisë shqiptare pas diktaturës, ka ndodhur diçka.

Edhe Perëndimi, BE-ja dhe SHBA-ja kanë tashmë një lloj sjelljeje më të vetëpërmbajtur. Ka një ndryshim në qëndrimet e SHBA-së nga presidenca e mëparshme te kjo aktuale. Jo domosdoshmërisht është diçka e keqe.

Edhe kompleksi i inferioritetit, nga i cili po shkëputemi dalëngadalë, ka ndryshuar. Nga dëshira e madhe “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, kaluam në një tjetër histori: përveç faktit që jemi orientuar nga Perëndimi, disa gjëra duhet t’i zgjidhim edhe vetë.

Pavarësisht gjuhës së drunjtë, ata thonë se disa gjëra duhet t’i zgjidhni ju. Shqipëria nuk është më si vite më parë. Ata kanë investuar, prandaj unë nuk e shoh si të keq këtë lloj distancimi të vogël.

Ka dy elemente në deklaratë. Njëri lidhet me dialogun, ndërsa tjetri me faktin që qeveria duhet të garantojë lirinë e tubimit, përveç faktit tjetër se dhuna është e papranueshme.

Sa i përket lirisë së tubimit, po shihja një zhvillim që po ndodh aktualisht. Situata në Tiranë ka kaluar përtej hedhjes së gazit lotsjellës dhe përdorimit të ujit. Ka kaluar në një fazë tjetër: ka nisur ndjekja e të rinjve nga policia, duke kaluar në terror policor. Në këtë kontekst merr kuptim edhe çështja e lirisë së tubimit, pasi ky komponent është asgjësuar totalisht.

Dialogu? Po dialog, por me kë? Protesta nuk është e strukturuar, nuk ka një drejtues. Nuk mund të flitet për dialog kur kërkesa është bërë: dorëheqja e Ramës. Akti i parë është kërkuar nga protesta, dorëheqja. Kryeministri nuk është përgjigjur.

Lini një koment