Deputetja britanike në KiE: Serbia ka mbështetur personat që kryen sulmin në Banjskë
Deputetja britanike dhe anëtarja e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Alicia Kearns, ka mbajtur një fjalim të ashpër gjatë debatit për raportin mbi funksionimin e institucioneve në Serbi.
Ajo theksoi se mënyra se si një shtet sillet ndaj fqinjëve të tij është tregues i qartë i mënyrës se si qeveriset dhe vepron brenda kufijve të vet.
“Trajtimi që një qeveri u bën fqinjëve të saj pasqyron mënyrën se si ajo e ushtron pushtetin edhe ndaj qytetarëve të vet. Këtë e kemi parë në Vladimir Putin, ku agresioni jashtë vendit shoqërohet me shtypjen e zërave kritikë brenda tij. Të njëjtin model e shohim edhe në Serbi. Ajo ka mbështetur personat e përfshirë në sulm, u ka ofruar strehim autorëve që qëndrojnë pas sulmit në Banjskë dhe sipas provave i ka armatosur ata. Kjo mund të vërtetohet edhe nga numrat serikë të armëve të përdorura”, deklaroi Kearns.
Ndryshe, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka miratuar sot raportin “Funksionimi i institucioneve demokratike në Serbi”, ku theksohet se normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën është çështje vendimtare për progresin e Serbisë drejt Bashkimit Evropian.
Raporti, i përgatitur nga raportuesit Victoria Tiblom (Suedi) dhe Yunus Emre (Turqi), nënvizon se Serbia ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe se normalizimi i plotë i marrëdhënieve mbetet një nga kushtet kryesore për anëtarësimin e saj në BE.
“Normalizimi i marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën, pavarësinë e së cilës Serbia nuk e njeh, mbetet një çështje serioze dhe është gjithashtu vendimtare për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian”, theksohet në raport.
Miratimi i raportit ndodh gjatë sesionit të verës 2026 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. /Telegrafi/