E premte, 15 Maj 2026
54°F Detroit
BallinaSporti ne Amerike“Detroit Basketball” – Si John Mason ktheu një frazë të thjeshtë në simbol të Detroit Pistons

“Detroit Basketball” – Si John Mason ktheu një frazë të thjeshtë në simbol të Detroit Pistons

Teksa Detroit Pistons vijojnë serinë e raundit të parë të play-off-it kundër Orlando Magic, një element mbetet i pandryshueshëm prej dekadash: thirrja ikonike “Detroit Basketball”. Një frazë e thjeshtë, që sot përfaqëson identitetin e ekipit dhe vetë qytetit.

Prej 25 vitesh, zëri pas kësaj thirrjeje është John Mason, announcer-i i stadiumit, i cili arriti të kthejë dy fjalë në një traditë të fuqishme të basketbollit në Detroit. Sipas tij, kjo frazë është shumë më tepër se një slogan – është një reflektim i shpirtit të qytetit.

“Është një përfaqësim i qytetit të Detroit-it,” ka thënë Mason.

Nga rastësia në histori

Origjina e “Detroit Basketball” nuk ishte e planifikuar. Mason shpjegon se gjithçka nisi spontanisht, duke transformuar një thirrje të zakonshme të tifozëve.

“Thjesht mora diçka që po ‘digjej’ në arenë dhe e ktheva. Thirrja ishte ‘airball’. E ktheva në ‘Detroit Basketball’. Madje atë natë pata probleme për këtë,” kujton ai.

Megjithatë, ajo që nisi si një improvizim, u shndërrua në një element të pandashëm të përvojës së ndeshjeve.

Një zë i njohur për qytetin

Edhe pse sot identifikohet kryesisht me Pistons, John Mason ka një histori të gjatë në median lokale. Ai mbërriti në Detroit në vitin 1983 si moderator i mëngjesit në radion FM98 WJLB, ku emisioni i tij “Mason in the Morning” u bë ndër më të ndjekurit për vite me radhë.

Programi pati ndikim të madh kulturor dhe madje frymëzoi elemente të serialit televiziv Martin.

Nga radio në parket

Në vitin 2001, Mason kaloi në një fazë të re kur Pistons kërkonin një announcer të ri për të zëvendësuar Ken Calvert. Pas disa ndeshjeve provë, ai mori rolin dhe menjëherë la gjurmë.

Kjo periudhë përkoi me epokën e famshme “Going to Work”, ku ekipi drejtohej nga emra si Ben Wallace, Richard Hamilton, Rasheed Wallace, Tayshaun Prince dhe Chauncey Billups.

Në vitin 2004, gjatë sezonit të kampionatit, prezantimet energjike të lojtarëve nga Mason u bënë pjesë thelbësore e atmosferës në sallë.

“I shikoja si superheronj,” tha ai. “Kështu më erdhi ideja për prezantimet.”

Një trashëgimi që vazhdon

Megjithatë, është pikërisht “Detroit Basketball” ajo që mbetet më e lidhur me emrin e Mason – një frazë që ka mbijetuar si në kohët e lavdisë, ashtu edhe në vitet e rindërtimit të ekipit.

“Kur takon njerëz nga Detroit-i, bëhesh pjesë e familjes së tyre,” tha Mason. “Është një ndjenjë familjeje. Nuk mund ta zhgënjeja familjen.”

Pistons pritet të rikthehen në Little Caesars Arena për ndeshjen e pestë më 29 prill, ku zëri i Mason dhe thirrja e tij ikonike pritet të ndezin sërish atmosferën në sallë.

Lini një koment