DHTIK kërkon ndërhyrje urgjente për zhbllokimin e procedurave të pronës publike
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK) i është drejtuar zyrtarisht kryeministrit të Kosovës dhe ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, duke kërkuar ndërhyrje urgjente për zhbllokimin e procedurave për shfrytëzimin e pronës publike dhe përshpejtimin e ndryshimeve në Ligjin për Pronën Publike.
Sipas DHTIK-së, vonesat dhe pengesat administrative po ndikojnë negativisht në aktivitetin ekonomik, duke shkaktuar humbje të tregut, të vendeve të punës dhe të investimeve, si dhe duke cënuar sigurinë juridike të bizneseve.
Pavarësisht se Qeveria u ka dhënë dritën e gjelbër tri kompanive për shfrytëzimin e pronës publike, ato ende nuk kanë mundur ta fillojnë aktivitetin, pasi Agjencia e Pyjeve të Kosovës i ka kushtëzuar kontratat me përfundimin e procedurës për ndërrimin e destinimit të tokës — procedurë që, sipas Dhomës, duhej të përfundonte para nënshkrimit të kontratave. Për shkak të mosfinalizimit, kompanitë nuk kanë mundur as të vazhdojnë me marrjen e lejeve pranë Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM).
DHTIK ngre shqetësim edhe për kompleksitetin e procedurave: një biznes mund të presë pothuajse një vit për përfundimin e procesit të marrjes së lejes. Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, është evidentuar rritje e vazhdueshme e importit të zhavorrit, ku Serbia prin në listën e vendeve nga importohet — çka, sipas Dhomës, tregon se vonesat në aktivizimin e kapaciteteve vendore ndikojnë në kosto dhe realizimin e projekteve.
Dhoma kërkon rishikim të tërësishëm të procedurave, eliminimin e burokracisë së panevojshme, shkurtimin e afateve dhe krijimin e një mekanizmi të qartë koordinimi ndërinstitucional.
Burimi: KosovaPress / Telegrafi