E shtunë, 28 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Abissnet Superiore›Disfata me 4 gola ndaj Partizanit, analiza e zv.trajnerit Kalari: Ju tregoj çfarë nuk shkoi

Disfata me 4 gola ndaj Partizanit, analiza e zv.trajnerit Kalari: Ju tregoj çfarë nuk shkoi

Zv.trajneri i Dinamos, Renaldo Kalari, analizoi humbjen 1 me 4 që skuadra e tij regjistroi në “Elbasan Arena” ndaj Partizanit, teksa në prononcimin e dhënë për “RTSH”, u shpreh:

“Kur nuk shënon, kur nuk vijnë rezultatet dhe rastet vazhdojnë të shpërdoruara në mënyrë të njëpasnjëshme, nuk do ta quajmë nervozizëm, sepse nervozizmi pastaj erdhi nga diçka tjetër. Ishim përgatitur që të prezantoheshim në atë mënyrë, duke parë vendosjen e Partizanit, me kalimin e minutave ndryshuam, dolën në një manovër tjetër te të dy fazat. Kontrolluam ndeshjen përgjatë një minutazhi shumë të madh në pjesën e parë. Krijuam raste që si në shumë ndeshje këto javët e fundit, vazhdojmë t’i shpërdorojmë.

Futbolli ka brenda dhe anën psikologjike. Ndikon te lojtarët nga ana psikologjike, pse e shpërdorimit, kur nuk i shfrytëzon rastet që duhen. Është kjo pjesa që po na mungon. Pastaj, nuk di ta them, por në inferioritet numerik, nuk jam unë i duhuri për të folur për këtë pjesë, se thashë do merrem me anën teknike vetëm. Kartoni i dytë i kapitenit, ndryshoi shumë për sa i përket ekuilibrave në fushën e lojës. Mesa pashë nga pjesa e pankinës, ishte një dyluftim që mu duk shumë i lehtë për hir të së vërtetës.

Kishim dhe 3 lojtarë mbrapa, plus që kundërshtari ishte në gjysmëfushën e vetë. Gjithsesi nuk dua të merrem me këtë pjesë. Në inferioritet numerik u bë më e vështirë. Në pjesë e dytë e kishim rastin për ta çuar ndeshjen në 1 me 1.

U bë më e vështirë sepse kundërshtari realizoi golin e dytë, normalisht që ishte shumë e vështirë më pas.

U prezantuam ndryshe në fillim, duke parë dhe vendosjen e kundërshtarit, që mos i jepnim pika referimi, kaluam te vendosja jonë, që vinte në një presing me 4-4-2, nuk ishte shumë agresiv me filtrin e parë. Kjo u jepte mundësinë dy qendërmbrojtësve që të merrnin hapësire dhe të gjenin diagonalet e shkurtra dhe të mesme. Duhet ta kishim lëvizur më shpejt topin, në momentin që dilnim mes linjave, duhet të ishim më agresivë.

Ne rastet për hir të së vërtetës i kishim. Kanë qenë 4 raste në pjesën e parë. Në vija të përgjithshme u interpretua mirë në pjesën e parë manovra, pastaj dalja me kartonin e dytë të verdhë që nuk dua ta rikujtoj dhe të merrem me arbitrat, pastaj u bë më e vështirë, ne e kishim rastin dhe në pjesën e dytë, guxuam të shkonim lartë me vendosjen 4-3-2, të sulmonim dy qendërmbrojtësit e kundërshtarit. E kishim rastin për ta barazuar ndeshjen, nuk e shfrytëzuam. U bë më e vështirë situata”, deklaroi Kalari.

Lini një koment