Dogana e Kosovës arkëton 186.6 milionë euro të hyra gjatë tetorit, rritje prej 5.9 për qind
Dogana e Kosovës arkëtoi 186.6 milionë euro të hyra gjatë muajit tetor 2026, shifër që shënon një rritje prej 5.9 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas buletinit mujor të Doganës së Kosovës.
Sipas të njëjtit buletin, në tetor të vitit 2025 ishin mbledhur 176.2 milionë euro të hyra doganore, ndërsa të hyrat e tetorit të këtij viti e kalojnë atë shifër për më shumë se dhjetë milionë euro.
Gjatë tetorit, Dogana veçoi edhe eksportin e parë në pikën kufitare Dheu i Bardhë, pas hyrjes në zbatim të plotë të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë Kosovë–EFTA. Sipas institucionit, kjo marrëveshje krijon mundësi të reja për bizneset kosovare.
Në kuadër të luftimit të kontrabandës, Sektori i Antikontrabandës ndaloi 121 telefona celularë pa dokumentacionin përkatës. Po gjatë këtij muaji, Dogana organizoi edhe punëtorinë e parë ndërkombëtare për vlerësimin doganor në Kosovë, në kuadër të Customs Programme, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të DG TAXUD.
Dogana deklaroi se do të vazhdojë forcimin e kontrolleve doganore, luftimin e aktiviteteve të kundërligjshme, lehtësimin e tregtisë së ligjshme dhe mbrojtjen e interesave financiare të Republikës së Kosovës.