Dyshohen se ndihmuan Agasin, GJKKO merr në pyetje shefin e Policisë Shkencore dhe një tjetër
Ka nisur në GJKKO seanca për verifikimin e masës së sigurimit dhe marrjen në pyetje të Fatjon Kalluçit dhe Embro Sulejmanit, të arrestuar në kuadër të një procedimi penal që lidhet me dyshimet për përkrahjen e Ergys Agasit gjatë kohës që ai ishte në kërkim.
Sipas të dhënave të hetimit, Fatjon Kalluçi, me detyrë shef i Policisë Shkencore, dyshohet se në muajin gusht, para arrestimit të Agasit, i ka dërguar atij tre foto të ekspertizës së automjetit “Land Rover Defender” me targë GG444AA, i gjetur në ambientet e “Equos Resort”.
Ndërkohë, Embro Sulejmani, i cili mbante detyrën e kryekamarierit, dyshohet se i dërgonte ushqime në banesën ku Agasi qëndronte i fshehur.
Të dhënat për këto veprime, sipas hetuesve, janë zbuluar në telefonin e Ergys Agasit.
Në seancë, avokatët pritet të kërkojnë shpalljen e moskompetencës së GJKKO-së, ndërsa do t’i kërkojnë gjykatës edhe kohë për t’u njohur me aktet e dosjes.
Ndërkohë, po sot, në orën 12:00, është planifikuar edhe seanca për marrjen në pyetje të ish-drejtueses së SHISH-it, Vlora Hyseni.