Dyshohet se ngacmoi një 17-vjeçare, procedohet mësuesi në Korçë
Një nxënëse e një shkolle të mesme në qytetin e Korçës ka denoncuar mbrëmjen e djeshme një mësues të shkollës 9-vjeçare “Sevasti Qirjazi”, duke pretenduar se e ka ngacmuar seksualisht.
Sipas informacioneve të siguruara, mësohet se ngjarja ka ndodhur rreth 1 muaj më parë, ku 17-vjeçarja ka qenë pjesë e stërvitjes së volejbollit në palestrën e shkollës 9-vjeçare “Sevasti Qirjazi”, ku mësuesi jep mësim, raporton gazetarja e Klan News Daniela Zisi.
Në denoncimin e bërë në komisariat, 17 vjeçarja ka treguar në prani të babait të saj dhe psikologes, se mësuesi me iniciale E.C. ka kryer veprime me natyrë seksuale, duke e prekur në pjesë intime gjatë orës së stërvitjes.
Nga ana e komisariatit të policisë, janë marrë pamjet filmike të kamera të sigurisë brenda palestrës, ku do të bëhet edhe kqyrja e DVR-së për të hedhur më tepër dritë mbi këtë ngjarje. Mësuesi është shoqëruar menjëherë në komisariat, ku ka dhënë edhe dëshminë e tij mohuese ndaj akuzave.
Në përfundim të hetimeve paraprake, ky i fundit u procedua në gjendje të lire, ndërsa do të jenë hetimet e mëtejshme që do të zbardhin rastin.