“E telefonova punonjësen e Kuvendit dhe i kërkova falje”, Erla zbulon komunikimin me Shehajn
Një incident është regjistruar këtë të hënë ku një punonjëse e Kuvendit është rrëzuar nga shkallët teksa po ndiqte deputetin dhe kreun e Partisë Mundësia, Agron Shehaj pasi ai mori një kopje të marrëveshjes së huasë mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fushën e mbrojtjes. Në emisionin “Now” në Euronews Albania, moderatorja Erla Mëhilli ka zbuluar një komunikim që ka patur me Shehajn pas këtij incidenti.
Mëhilli u shpreh se Shehaj gjatë komunikimit ka theksuar se nuk e dinte që punonjësja ishte rrëzuar nga shkallët teksa shton se ai e ka telefonuar dhe i ka kërkuar falje.
“Njëra nga punonjëset e Kuvendit, duke ndjekur Agron Shehajn, edhe u rrëzua shkallëve. Megjithëse nga komunikimi që kam patur me zotin Shehaj, ai nuk e kishte parë këtë moment, madje e ka telefonuar punonjësen në fjalë, i ka kërkuar edhe ndjesë”, tha Mëhilli e cila lexoi edhe reagimin e kryeministrit Edi Rama lidhur me ngjarjen.