E enjte, 19 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Abissnet Superiore›“E vështirë ta shohësh ekipin nga jashtë”- Neziri: Dinamo ka cilësi, po më mungon futbolli

“E vështirë ta shohësh ekipin nga jashtë”- Neziri: Dinamo ka cilësi, po më mungon futbolli

Faton Neziri ka qenë një nga lojtarët më të spikatur të Dinamos në sezonin e shkuar. Mbrojtësi nga Kosova, mori minuta të konsiderueshme duke u kthyer në protagonist absolut në mbrojtje ndërkohë që një problem me muskujt e barkut, e ka mbajtur jashtë fushave për disa muaj.

Tashmë, duket se Neziri është gati dhe vetë lojtari shprehet se synim ka të rikthehet në formën që ishte para dëmtimit. Sa i përket skuadrës, Neziri është i bindur se Dinamo ka cilësi dhe ambicie.

Faton, i po e përjeton rikthimin në fushë pas një periudhe kaq të gjatë mungese?

Jam shumë i lumtur që jam rikthyer në fushë pas një periudhe jo të lehtë. Kam punuar shumë për këtë moment dhe tani dua të vazhdoj me përkushtim, të marr ritmin e duhur dhe ta ndihmoj skuadrën sa më shumë.

Sa e vështirë ishte për ty periudha e dëmtimit dhe rikuperimit?

Sigurisht që nuk ishte periudhë e lehtë, por është pjesë e futbollit. Jam munduar ta përballoj me qetësi dhe profesionalizëm, duke qenë maksimalisht i përkushtuar në çdo fazë të rikuperimit. E rëndësishme është që tani jam mirë dhe jam rikthyer pranë ekipit.

Tashmë ke nisur të marrësh minuta.

Si ndihesh fizikisht dhe sa pranë formës optimale je?

Fizikisht ndihem mirë dhe çdo ditë po përmirësohem. Pas një mungese gjashtëmujore është normale që të duhet pak kohë për të arritur ritmin maksimal. Jam i kënaqur me ecurinë dhe besoj se me punë e vazhdimësi do të arrij formën time më të mirë.

Sa të ka munguar futbolli gjatë gjithë kësaj kohe?

Shumë, sepse futbolli është pjesë shumë e rëndësishme e jetës sime. Nuk është e lehtë ta ndjekësh skuadrën nga jashtë, por kjo periudhë më ka bërë ta vlerësoj edhe më shumë çdo moment në fushë.

Si e ke parë Dinamon në këtë sezon, duke qenë se pjesën e parë e ke ndjekur nga jashtë?

E kam ndjekur vazhdimisht skuadrën dhe mendoj se kemi një grup cilësor, me shumë potencial. Sigurisht që ka pasur momente të mira dhe momente më të vështira, por besoj shumë te ky ekip dhe te puna që bëhet çdo ditë.

Si do ta krahasoje Dinamon e këtij sezoni me skuadrën e sezonit të kaluar?

Çdo sezon ka karakteristikat dhe sfidat e veta. Mendoj se edhe këtë vit kemi një grup me shumë cilësi dhe ambicie. E rëndësishme është të vazhdojmë të punojmë së bashku dhe ta tregojmë potencialin tonë në fushë.

Sezonin e kaluar ishe një nga lojtarët më të spikatur të skuadrës. Çfarë mendon se nuk shkoi?

Në futboll jo gjithmonë gjërat shkojnë ashtu siç i planifikon. Personalisht jam munduar gjithmonë të jap maksimumin për skuadrën. Nga çdo sezon marrim mësime dhe besoj se këto përvoja na ndihmojnë të bëhemi më të mirë.

A mendon se mund të rikthehesh në të njëjtin nivel, apo edhe më mirë se sezonin e kaluar?

Shpresoj që me punë dhe përkushtim të arrij përsëri formën time më të mirë. Synimi im është gjithmonë të përmirësohem dhe të jap më të mirën time.

Çfarë mendon se i ka munguar Dinamos deri tani për të arritur rezultatet e dëshiruara?

Mendoj se në disa momente na ka munguar vazhdimësia në rezultate. Cilësia dhe potenciali janë brenda skuadrës. Duhet të vazhdojmë të punojmë me përkushtim, të qëndrojmë të bashkuar dhe besoj se rezultatet do të vijnë.

Cilat janë objektivat e tua personale për pjesën e mbetur të sezonit?

Fillimisht të rikthehem plotësisht në ritmin tim më të mirë, të kem vazhdimësi dhe të jem sa më i dobishëm për skuadrën. Për mua suksesi i ekipit mbetet gjithmonë prioritet.

Po objektivi i Dinamos?

Deri ku mendon se mund të shkojë kjo skuadër?

Dinamo është një klub me histori dhe ambicie, ndaj objektivat janë gjithmonë të larta. Besoj se kemi potencial për të arritur gjëra të mira. Duhet të ecim ndeshje pas ndeshjeje, me përulësi, seriozitet dhe besim në punën tonë.

Çfarë mesazhi ke për tifozët dinamovitë për këtë sezon?

Dua t’i falënderoj për mbështetjen dhe besimin e tyre. E dimë çfarë përfaqëson Dinamo dhe do të japim maksimumin për ta përfaqësuar sa më denjësisht këtë fanellë. Shpresoj që së bashku të përjetojmë sa më shumë momente të bukura.

Lini një koment