Edhe 7 ditë deri në Konventën e demokrateve ne Michigan
Mbështetje për Suzanna Shkreli në garën për Sekretare Shteti në Michigan
Me vetëm 7 ditë deri në mbajtjen e Konventës Demokratike të shtetit të Michigan, e cila do të zhvillohet më 19 prill në Huntington Place në Detroit, një nga emrat që po tërheq vëmendje në garën për Sekretar Shteti është Suzanna Shkreli.
Shkreli, kandidate demokrate për këtë post kyç në administratën shtetërore, paraqitet si një figurë me përvojë të gjatë në shërbimin publik dhe me një profil të ndërtuar mbi drejtësinë, administrimin dhe reformat institucionale.
E lindur në Livonia dhe e rritur në Farmington Hills dhe më pas në Clarkston, ajo është një amerikane e gjeneratës së parë me origjinë shqiptare. Prindërit e saj emigruan në Shtetet e Bashkuara si fëmijë, duke u larguar nga regjimet autoritare në ish-Jugosllavi, në kërkim të një jete më të mirë në Michigan. Kjo histori familjare, sipas saj, ka ndikuar drejtpërdrejt në formimin e vlerave të saj mbi demokracinë dhe shërbimin publik.
Që në moshë të re, Shkreli u përfshi në punën e familjes, duke ndihmuar në restorantin familjar së bashku me tre motrat dhe vëllezërit e saj. Aty ajo përvetësoi etikën e punës dhe rëndësinë e shërbimit ndaj klientit—elemente që i konsideron thelbësore edhe në administratën publike. Paralelisht, ajo zhvilloi një karrierë sportive në hokej mbi akull, duke luajtur në mënyrë konkurruese që nga mosha pesëvjeçare deri në përfundimin e shkollës së mesme.
Pas përfundimit të studimeve universitare në vetëm tre vite, ajo vazhdoi menjëherë shkollën e drejtësisë dhe më pas iu bashkua Zyrës së Prokurorit në Macomb County, ku shërbeu për afro tetë vite. Si ndihmëse prokurore, një pjesë e madhe e punës së saj u fokusua në Njësinë për Mbrojtjen e Fëmijëve, ku trajtoi raste të ndjeshme që përfshinin abuzues dhe kriminelë të rrezikshëm, duke siguruar dënime dhe drejtësi për viktimat më të pambrojtura.
Në vitin 2019, ajo u emërua këshilltare ligjore zëvendëse në administratën e guvernatores Gretchen Whitmer, ku u angazhua në një gamë të gjerë çështjesh shtetërore. Ndër të tjera, ajo luajti rol në koordinimin me zyrën e Sekretarit të Shtetit për garantimin e zhvillimit të sigurt dhe ligjor të procesit të zgjedhësve presidencialë në dhjetor 2020.
Karriera e saj në administratë vazhdoi me emërimin si Avokate e Fëmijëve në Michigan në vitin 2021, ndërsa në vitin 2023 ajo shërbeu si Drejtoreshë për Reformën e Drejtësisë për të Miturit në Departamentin e Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore. Në vitin 2024, Shkreli mori drejtimin si Komisionere e Lotarisë së Shtetit të Michiganit, ku kontribuoi në gjenerimin e më shumë se 2 miliardë dollarëve për financimin e shkollave publike gjatë dy viteve fiskale.
Sot, në garën për Sekretare Shteti, Shkreli e paraqet kandidaturën e saj si një vazhdimësi e angazhimit për mbrojtjen e institucioneve demokratike dhe përmirësimin e shërbimeve publike. Ajo thekson përvojën e saj në sistemin e drejtësisë dhe administratën shtetërore si bazë për të garantuar integritetin e proceseve zgjedhore dhe funksionimin efikas të institucioneve.
Në platformën e saj përfshihen disa prioritete konkrete: implementimi i patentës digjitale, përshpejtimi i publikimit të rezultateve zgjedhore dhe krijimi i orareve “walk-in” për të moshuarit në zyrat e shërbimeve shtetërore. Sipas saj, këto masa synojnë të përmirësojnë aksesin dhe efikasitetin për qytetarët e Michiganit, duke e bërë administratën më të afërt dhe funksionale për publikun.
Konventa e 19 prillit pritet të jetë një moment kyç për konsolidimin e kandidatëve dhe përcaktimin e drejtimit politik në prag të zgjedhjeve të ardhshme në Michigan.