E martë, 10 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Ekonomi shpjegon çfarë është taksa e vinjetës: Ja sa do të paguhet për makinën

Ekonomi shpjegon çfarë është taksa e vinjetës: Ja sa do të paguhet për makinën

Milva Ekonomi, deputete e Partisë Socialiste, shpjegoi se çfarë është taksa vinjeta për automjetet.

“Nuk është tamam vinjeta, është taksa e përdorimit të mjetit. Se vinjeta është taksa e përdorimit të rrugës. Tek taksat në Shqipëri është një gjë e kombinuar, mjeti dhe rruga, se taksë vinjeta paguan vetëm makina elektrike. Makinat e tjera paguajnë taksë për qarkullimin, që ka të bëjë me vjetërsinë dhe ka të bëjë me fuqinë motorrike. Sipas makinës që ka një qytetar, sa cilindratë e ka dhe se çfarë viti përdorimi e ka. Gjithashtu, di dhe se sa kilometra në vit bën dhe duke nisur nga kjo, e ka idenë se sa konsumon karburant. Qytetari duhet të shikojë sa i zbret nga konsumi i karburantit dhe sa do të shtojë pagesë për vjetërsinë e mjetit. Pastaj, të bëjë analizën e këtyre të dyjave. Në përgjithësi, analiza për këto çështje është një analizë që vjen në ndihmë të pagesës që bën qytetari”, tha Ekonomi në studion e “Off the Record”.

“Ai që ka makinë elektrike do paguajë 150 mijë lekë të vjetra për vinjetën, ndërsa ai që ka makinë me karburant do paguajë për vjetërsinë e mjetit”, shtoi deputetja socialiste.

Në lidhje me koston e transportit publik, Ekonomi theksoi: “Do të kemi një takim me Shoqatën e Transportit Urban dhe Ndërqytetas. Është çështje në diskutim. Duke u ulur çmimi i karburantit dhe duke u rritur çmimi i mjetit, barra fiskale për mjetin është më e ulët sesa një vit më parë dhe kjo duhet të reflektojë në çmimin e biletës. Se si do të reflektohet, është diçka që po diskutohet”.

Lini një koment