E martë, 10 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Ministria e Mbrojtjes përgënjeshtron denoncimin për mungesë uniformash në FA: Nuk pasqyron realitetin!

Ministria e Mbrojtjes përgënjeshtron denoncimin për mungesë uniformash në FA: Nuk pasqyron realitetin!

Ministria e Mbrojtjes ka reaguar pas publikimit të një denoncimi lidhur me pajisjen e efektivëve të Forcave të Armatosura me uniforma dhe mjete individuale, duke e cilësuar atë të pavërtetë dhe të pabazuar në fakte të verifikuara.

Në një deklaratë zyrtare, Ministria thekson se pretendimet e publikuara nuk pasqyrojnë situatën reale në Forcat e Armatosura dhe se nuk mund të bëhen përgjithësime mbi bazën e një denoncimi anonim.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, pajisja e personelit ushtarak me uniforma dhe mjete individuale realizohet në përputhje me procedurat dhe planifikimet institucionale, bazuar në nevojat e strukturave dhe detyrimet ligjore në fuqi.

“‘Denoncimi’ në fjalë nuk pasqyron absolutisht situatën reale. Vlen të nënvizohet se nuk mund të ketë kurrsesi një përgjithësim të situatës mbi bazën e një denoncimi anonim, pa verifikimin e fakteve”, thuhet në qëndrimin e Ministrisë.

Më tej, institucioni sqaron se çdo shqetësim apo problematikë konkrete që lidhet me kushtet e shërbimit të personelit ushtarak trajtohet me përgjegjësi të plotë nga strukturat përkatëse, duke garantuar shqyrtimin e çdo rasti.

Ministria e Mbrojtjes thekson gjithashtu rëndësinë e informimit të publikut mbi bazën e fakteve të verifikuara dhe jo të pretendimeve që mund të krijojnë perceptime të gabuara për gjendjen në Forcat e Armatosura.

Mw tej Ministria shpreh vlerësimin për gratë dhe burrat që shërbejnë në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

“Gratë dhe burrat e Forcave të Armatosura meritojnë respektin dhe vlerësimin më të lartë të shoqërisë për shërbimin, përkushtimin dhe sakrificat që bëjnë çdo ditë në emër të sigurisë së vendit dhe qytetarëve të tij”, përfundon deklarata.

Lini një koment