Ekspertët ndërkombëtarë përjashtojnë shpërthimin në rrëzimin e Smolenskut, shkak ishin gabimet gjatë uljes
Një ekip ndërkombëtar ekspertësh ka përjashtuar shpërthimin si shkak të rrëzimit të avionit presidencial polak në Smolensk në vitin 2010, duke identifikuar në vend të tij një zinxhir gabimesh gjatë fazës përfundimtare të afrimit për ulje, siç njofton Euronews. Në atë tragjedi humbën jetën 96 persona, përfshirë presidentin e Polonisë, Lech Kaczynski, dhe bashkëshorten e tij.
Sipas ekspertëve, faktorët që çuan në rrëzim ishin afrimi i paqëndrueshëm për ulje, vlerësimi i gabuar i lartësisë reale të avionit, vazhdimi i zbritjes nën lartësinë minimale dhe vendimi i vonuar për ta ndërprerë uljen. Zëdhënësi i Prokurorisë Kombëtare të Polonisë, Przemysław Nowak, i paraqiti të premten konkluzionet e raportit të plotë, duke theksuar se ato janë vlerësime të ekspertëve dhe jo të vetë prokurorëve. Në raport kontribuan 22 ekspertë nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Irlanda dhe Hungaria.
Hipoteza e shpërthimit u testua me disa metoda, përfshirë analizën e regjistrimeve të zërit në kabinë, ku nuk u gjet asnjë tingull që t’i korrespondonte një shpërthimi, dëmtimet e strukturës së avionit, simulimet kompjuterike, dëmtimet e viktimave dhe analizat fiziko-kimike. Raporti i parë ishte hartuar në gusht 2024, ndërsa pas 66 pyetjeve të prokurorëve, ekspertët dorëzuan një raport plotësues në maj 2026, pas së cilës hetuesit e konsideruan dokumentin të plotë dhe të qartë.
Konkluzionet u kundërshtuan nga ish-ministri polak i Mbrojtjes, Antoni Macierewicz, i cili vuri në dyshim autoritetin e ekspertëve dhe përsëriti pretendimet e tij për materiale shpërthyese. Ndërsa kryeministri Donald Tusk, duke folur në një konferencë për shtyp në Bruksel, tha se shkaqet e rrëzimit ishin përcaktuar që nga komisioni i vitit 2011 dhe se ato ishin kundërshtuar më pas “për arsye thjesht politike”.
Paraqitja e raportit nuk e mbyll hetimin, i cili nisi më 10 prill 2010 dhe kaloi te Prokuroria Kombëtare në vitin 2016. Hetuesit kanë mbledhur qindra vlerësime ekspertësh, kanë marrë në pyetje më shumë se 1.000 dëshmitarë dhe kanë përpiluar afro 2.000 vëllime dosjesh, ndërsa ende po shqyrtojnë disa skenarë, përfshirë gabimet e mundshme të kontrollorëve rusë të trafikut ajror. Sipas prokurorisë, tre oficerë rusë, mes tyre nënkoloneli Paweł P., dyshohen për shkaktimin e një katastrofe të trafikut ajror dhe kërkohen me urdhër arresti.