E premte, 27 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›VILNIUS – Lituania forcon mbrojtjen, blen 100 transportues të blinduar me vlerë 1,3 miliardë euro

VILNIUS – Lituania forcon mbrojtjen, blen 100 transportues të blinduar me vlerë 1,3 miliardë euro

VILNIUS, 27 nëntor /ATSH-DPA/- Lituania planifikon të forcojë kapacitetet e saj mbrojtëse, përmes blerjes së 100 transportuesve të blinduar të personelit të tipit CV90, sipas një deklarate të Ministrisë së Mbrojtjes të publikuar sot, ndërsa vendet baltike vijojnë të investojnë në sigurinë e tyre përballë luftës së Rusisë në Ukrainë.

Marrëveshja u nënshkrua në Stokholm mes qeverisë së Lituanisë, vend anëtar i Bashkimit Evropian dhe NATO-s, dhe prodhuesit suedez të mjeteve ushtarake “BAE Systems Hägglunds”.

Kontrata kap vlerën e rreth 1,3 miliardë eurove (1,4 miliardë dollarë) dhe përfshin gjithashtu pjesë këmbimi, trajnimin e personelit dhe mirëmbajtjen e mjeteve.

Ministri i Mbrojtjes, Robertas Kaunas, e cilësoi marrëveshjen si një nga marrëveshjet më të rëndësishme, për zhvillimin e forcave të armatosura të Lituanisë.

Ndërsa kryeministri, Mindaugas Sinkevicius e përshkroi atë si një tjetër hap të rëndësishëm drejt forcimit të sigurisë së Lituanisë, në një reagim të publikuar në rrjetin social X.

Blerja e mjeteve të blinduara është pjesë e një projekti të përbashkët me Suedinë, Norvegjinë, Finlandën dhe Holandën.

Sipas kompanisë “BAE Systems Hägglunds”, pesë vendet synojnë të porosisin së bashku, më shumë se 430 mjete të tilla, me një vlerë totale prej rreth 5,5 miliardë eurosh.

Lituania kufizohet me enklavën ruse të Kaliningradit në Detin Baltik, si dhe me Bjellorusinë, aleaten e Moskës, territorin e së cilës forcat ruse e kanë përdorur si bazë për operacionet e tyre ushtarake.

Ashtu si fqinjët e saj baltikë, Lituania po zgjeron kapacitetet mbrojtëse, duke e konsideruar Moskën një kërcënim në kushtet e luftës së vazhdueshme në Ukrainë, të nisur me pushtimin në shkallë të gjerë në vitin 2022.

Në kuadër të masave të tjera të sigurisë, në vend pritet të dislokohet në mënyrë të përhershme edhe një brigadë e blinduar gjermane. /

Lini një koment