Thursday, 24 September 2026
54°F Detroit
Ballina›Basketbolli ne Kosove›Erblin Osmani, diamanti që debutoi me Kosovën në një mbrëmje magjike

Erblin Osmani, diamanti që debutoi me Kosovën në një mbrëmje magjike




September 24, 2026

Erblin Osmani, diamanti që debutoi me Kosovën në një mbrëmje magjike


Sonte ishte një mbrëmje e veçantë në “Fadil Vokrri”. Ishte një nga ato net kur futbolli nuk është vetëm një ndeshje, një rezultat apo tri pikë. Ishte një natë ku u bashkuan fitorja, atmosfera, emocionet dhe një moment që mund të marrë rëndësi të veçantë për të ardhmen e Kombëtares së Kosovës.

Në shkallët e stadiumit jehonte atmosfera e jashtëzakonshme, ndërsa brohoritjet “UÇK, UÇK” i dhanë mbrëmjes një dimension të veçantë emocional. Në fushë, ndërkohë, Kosova po shkruante një tjetër faqe të historisë së saj.

Por, mes shumë momenteve të kësaj mbrëmjeje, njëri prej tyre meriton vëmendje të veçantë.

Në periudhën e fundit të ndeshjes në fushën e gjelbër, me fanellën dardane, u shfaq një emër që pritet të bëhet shumë i rëndësishëm për të ardhmen e futbollit kosovar – Erblin Osmani.

Mesfushori i Bayern Munichut mori sonte minutat e para me Kombëtaren A të Kosovës dhe, me paraqitjen e tij, u bë lojtari më i ri i këtij edicioni në Ligën e Kombeve në mesin e të gjitha kombëtareve pjesëmarrëse.

Në moshën e tij, të debutosh me fanellën e Kombëtares A është një moment i jashtëzakonshëm. Por rëndësia e këtij debutimi nuk qëndron vetëm te rekordi i moshës.

Ajo që e bën këtë moment edhe më interesant është fakti se Osmani vjen nga një prej akademive më të njohura të futbollit në botë. Të jesh pjesë e Bayern Munichut do të thotë të rritesh në një ambient ku kërkesa për cilësi, disiplinë dhe profesionalizëm është në nivelin më të lartë.

Dhe tani, ai talent që po zhvillohet në Gjermani, ka zgjedhur të ardhmen e tij ndërkombëtare me Kosovën.

Kjo është ajo që duhet të na gëzojë. Sepse Kosova nuk fitoi vetëm një ndeshje. Në këtë mbrëmje, Kosova fitoi edhe një mundësi për të ndërtuar të ardhmen.

Erblin Osmani është vetëm në fillim të rrugës. Askush nuk mund ta dijë se deri ku do të arrijë një futbollist i ri, sa ndeshje do të luajë, sa gola do të shënojë apo sa trofe do të fitojë. Futbolli është plot me të papritura dhe zhvillimi i një lojtari kërkon kohë, punë dhe durim.

Por një gjë është e sigurt: Kosova ka në duart e saj një tjetër talent të rëndësishëm. Një diamant që tani duhet të punohet me kujdes. Dhe ndoshta kjo është pjesa më e rëndësishme e historisë.

Talente të tilla nuk duhet të shihen vetëm si zgjidhje për një ndeshje apo si emra që ngjallin entuziazëm për një natë. Ata duhet të jenë pjesë e një projekti afatgjatë.

Një ekip kombëtar nuk ndërtohet vetëm me futbollistët me përvojë, por edhe me energjinë e brezave të rinj. Përvoja dhe talenti duhet të ecin së bashku. Dhe në horizont duket edhe një tjetër emër, Dion Kaçuri, që po ashtu është pjesë e Kosovës në këtë grumbullim. Edhe ai një talent i jashtëzakonshëm, i cili shumë shpejt pritet t’i ketë minutat e tij të parë dhe ta rrisë edhe më shumë konkurrencën e cilësinë në Kombëtaren e Kosovës.

Kjo është edhe arsyeja pse netët si kjo e sotmja duhet të shihen përtej rezultatit.

Fitorja është e rëndësishme. Atmosfera është e paharrueshme. Brohoritjet janë pjesë e identitetit të stadiumit “Fadil Vokrri”.

Por ndoshta momenti më i rëndësishëm i kësaj nate ishte një tjetër.

Një djalë i ri i rritur në akademinë e Bayern Munihut sonte veshi fanellën e Kombëtares A. Dhe kur një talent i tillë shkel për herë të parë në fushën e “Fadil Vokrrit”, nuk është vetëm një debutim. Është një premtim.

Është një bazë e fortë se gjenerata e re po vjen dhe Kosova po ecën me hapa të sigurt.

Leave a Reply

Lini një koment