Thursday, 24 September 2026
54°F Detroit
Ballina›Basketbolli ne Kosove›Nismë e mbarë e Dardanëve në Ligën e Kombeve

Nismë e mbarë e Dardanëve në Ligën e Kombeve




September 24, 2026

Nismë e mbarë e Dardanëve në Ligën e Kombeve


Vedat Muriqi ka qenë realizator i golit të fitores së madhe të Kosovës ndaj Irlandës, për fillimin e suksesshëm të “Dardanëve” në Ligën B të Ligës së Kombeve.

Kosova e mposhti Irlandën 1:0 të enjten në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në ndeshjen që e dominoi nga fillimi.

Muriqi, që dy herë ishte i pafat kur topi u largua nga vija e portës, shënoi për 1:0 nga afërsia shtatë minuta para fundit.

Ermal Krasniqi që u inkuadrua në lojë në minutën e 73-të, gjuajti fillimisht me të majtën nga zona. Topi u devijua dhe përfundoi në transversale. Por, nga topi i kthyer përfitoi kapiteni i Kosovës, Muriqi, që nuk gaboi nga afërsia për fitoren e madhe.

Te Kosova të enjten mbrëma debutoi talenti Erblin Osmani, që edicionin e kaluar debutoi me Bayern Munichun në Bundesligën gjermane.

“Dua të festoj me tifozët, me ekipin. Do të hyjmë edhe kundër Austrisë për tri pikë. Na pret atmosferë shumë e mirë edhe atje”, ka thënë pas ndeshjes mbrojtësi i Hoffenheimit, Albian Hajdari.

Se Kosova dominoi në përballjen ndaj irlandezëve para tifozëve të zhurmshëm në shtëpi, e tregojnë edhe statistikat.

Kosova kishte 21 tentime për gol, krahas tri të Irlandës.

Muriqi shfaqi sinjalet e para se Kosova është në natën e vet që nga minuta e tetë.

Në minutën e 22-të, sulmuesi shtatlartë gjuajti mbi portë, ndonëse anësori e kishte ngritur flamurin për pozitë jashtë loje.

Edhe mysafirët u shfaqën rrezikshëm në minutën e 23-të. Një rrëshqitje e Dion Gallapenit në krahun e majtë të mbrojtjes, bëri që Irlanda të dalë në pozitë për të shënuar. Chiedozie Ogbene gjuajti mbi portë më pas.

Muriqit iu mohua goli i sigurt në minutën e 28-të. Ishte mesfushori Jayson Molymby që e largoi topin nga vija e portës pas tentimit të sulmuesit të Fenerbahçes.

Gol të sigurt shpëtoi edhe kapiteni Dara O’Shea, që e ndali tentimin e Veldin Hoxhës. Edhe në këtë rast, topi shkonte drejt rrjetës.

Pak para fundit të pjesës së parë, Muriqi ishte i pafat sërish. Ishte portieri Caoimhin Kelleher që bëri mrekulli, duke e pritur tentimin e jashtëzakonshëm me kokë të Muriqit.

Irlanda u shfaq rrezikshëm me sulmuesin e Real Betisit, Troy Parrott, pesë minuta pas pushimit.

Gjuajtjen e tij me kokë e priti portieri Arijanet Muriq.

Para se të shënonte për golin e fitores, Kosova e kishte edhe një mundësi me Edon Zhegrovën që pati paraqitje të mirë. Zhegrova ndonëse në pozitë të mirë, gjuajti lartë mbi portë.

Dhe pas shumë tentimeve, Kosova në fund e gjeti golin e fitores me Muriqin. Muriqi golin ia dedikoi ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që javën e shkuar u dënuan me 81 vjet burgim. Ai shkoi te shikuesit dhe e mbajti fanellën me shkrimin “Drejtësi për çlirimtarët”.

Austria dhe Kosova tani e kryesojnë Grupin 3 të Ligës B të Ligës së Kombeve, ku Kosova debuton, pasi në katër edicionet e kaluara ishte pjesë e Ligës D dhe C. Irlanda dhe Izraeli mbesin pa pikë.

Ndeshjen e radhës, Kosova e luan të dielën nga ora 18:00 në Vjenë ndaj Austrisë. Përkrahja në Vjenë pritet të jetë e madhe për Kosovën.

Leave a Reply

Lini një koment