E martë, 3 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›Erdogan mbërrin në Korenë e Jugut, pritet të zhvillojë bisedime me presidentin e vendit

Erdogan mbërrin në Korenë e Jugut, pritet të zhvillojë bisedime me presidentin e vendit

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka mbërritur të hënën në Seul, kryeqytetin e Koresë së Jugut, në kuadër të një vizite zyrtare me ftesë të homologut të tij koreano-jugor, Lee Jae Myung.

Erdogan shoqërohet nga bashkëshortja e tij, Emine Erdogan, ndërsa në aeroportin ushtarak të Seulit, në Seongnam, u pritën nga ministrja e Tregtisë së Koresë së Jugut, Park Jung-sung.

Në ceremoninë e pritjes ishin të pranishëm edhe ambasadori turk në Korenë e Jugut, Fatih Yildiz, së bashku me bashkëshorten e tij, Nesrin Yildiz.

Në këtë vizitë, presidenti turk shoqërohet nga një delegacion i nivelit të lartë, ku bëjnë pjesë ministri i Jashtëm Hakan Fidan, ministri i Energjisë dhe Burimeve Natyrore Alparslan Bayraktar, ministri i Mbrojtjes Kombëtare Yasar Guler, si dhe ministri i Industrisë dhe Teknologjisë Mehmet Fatih Kacir.

Pjesë e delegacionit janë gjithashtu zyrtarë të lartë të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK) dhe të industrisë turke të mbrojtjes.

Gjatë qëndrimit në Korenë e Jugut, Erdogan pritet të zhvillojë një takim zyrtar me presidentin Lee Jae Myung të martën. Vizita do të zgjasë deri më 4 nëntor.

Në qendër të bisedimeve pritet të jenë marrëdhëniet strategjike mes dy vendeve, forcimi i bashkëpunimit ekonomik dhe politik, si dhe çështjet aktuale rajonale dhe ndërkombëtare.

Gjithashtu, të dyja palët pritet të nënshkruajnë disa marrëveshje që synojnë forcimin e mëtejshëm të kuadrit ligjor të marrëdhënieve dypalëshe.

Lini një koment