Ermal Krasniqi lirohet nga grumbullimi i Kosovës, shkak bëhet lëndimi
Kosova do t’i zhvillojë dy ndeshjet e radhës të Ligës së Kombeve pa Ermal Krasniqin. Siç njofton Telegrafi, Federata e Futbollit e Kosovës ka bërë të ditur se futbollisti është liruar nga grumbullimi, pasi lëndimi i tij kërkon më shumë kohë për rikuperim.
Mesfushori anësor i Amedsporit ka kryer ekzaminimet mjekësore dhe, sipas vlerësimit të stafit mjekësor të Kombëtares, nuk do të arrijë të rikthehet në gatishmëri të plotë për dy përballjet e radhës, ndaj Izraelit dhe Irlandës.
Për këtë arsye është vendosur që Krasniqi të rikthehet në Turqi, ku procesin e rikuperimit do ta vazhdojë nën kujdesin e stafit mjekësor të klubit të tij, ndërsa gjendja e tij do të ndiqet në vazhdimësi nga klubi.
Mungesa e tij përbën një ndryshim në planet e përzgjedhësit Franco Foda për ndeshjet e nëntorit. Kosova luan të shtunën, më 14 nëntor, nga ora 15:00, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë ndaj Izraelit, në kuadër të Ligës së Kombeve, ndërsa tri ditë më vonë, më 17 nëntor, udhëton në Dublin për ndeshjen ndaj Irlandës.