Foda flet për tri prurjet e reja dhe Lutfi Dalipin, thotë se njëri mund të startojë ndaj Izraelit
Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka folur me vlerësim për tri prurjet e reja të Dardanëve para ndeshjes me Izraelin. Siç njofton Telegrafi, trajneri gjerman është shprehur i kënaqur me mënyrën se si Lindrit Kamberi, Enis Rexhepi dhe Bleon Kurtulus janë integruar në skuadër, duke lënë të hapur mundësinë që ndonjëri prej tyre të startojë ndaj Izraelit.
Sipas Fodës, paraqitjet e tre futbollistëve në stërvitje i kanë lënë përshtypje shumë të mira dhe kanë vërtetuar pritjet e stafit, i cili i ka ndjekur ata në vazhdimësi edhe më herët.
Përzgjedhësi gjerman ka folur edhe për talentin Lutfi Dalipi, i cili vendosi ta përfaqësojë Kosovën, duke zbuluar se ka pasur kontakte të vazhdueshme me futbollistin para se ai të merrte këtë vendim. “Jam i lumtur për Lutfi Dalipin. Kemi qenë shumë gjatë në kontakt me Lutfi Dalipin dhe jam shumë i lumtur që i ka thënë po Kosovës”, ka përfunduar Foda.
Kosova përballet të shtunën me Izraelin në stadiumin “Fadil Vokrri”, nga ora 15:00, në kuadër të Ligës së Kombeve, ndërsa më 17 nëntor luan në Dublin ndaj Irlandës.