EULEX-i dhe Policia e Kosovës zhvillojnë stërvitje të përbashkët për kontrollin e turmave në Prishtinë
Pjesëtarë të EULEX-it (Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë), së bashku me pjesëtarë të Policisë së Kosovës, do të zhvillojnë sot një stërvitje të përbashkët për kontrollin e turmave dhe menaxhimin e trazirave, siç njofton Klan Kosova.
Stërvitja zhvillohet në Kompleksin e EULEX-it, në zonën industriale të Prishtinës, dhe është pjesë e aktiviteteve të rregullta për ngritjen e gatishmërisë së reaguesve të sigurisë në Kosovë.
Gjatë ushtrimit parashihet dislokimi i personelit dhe pajisjeve në zonën e përcaktuar për stërvitje, ndërsa fokusi do të jetë koordinimi dhe bashkëpunimi ndërmjet EULEX-it dhe Policisë së Kosovës gjatë situatave që kërkojnë menaxhimin e turmave dhe trazirave.
Sipas njoftimit, qëllimi është avancimi i mëtejshëm i gatishmërisë operacionale dhe ndërveprimit ndërmjet reaguesve të sigurisë, në përputhje me standardet evropiane.