Wednesday, 23 September 2026
54°F Detroit
BallinaLajme nga ShqiperiaFerit Hoxha kërkon avancimin e anëtarësimit të Kosovës në Kartën e Adriatikut për forcimin e kohezionit rajonal

Ferit Hoxha kërkon avancimin e anëtarësimit të Kosovës në Kartën e Adriatikut për forcimin e kohezionit rajonal

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka theksuar rëndësinë e Kartës së Adriatikut si një shtyllë e sigurisë rajonale dhe bashkëpunimit euroatlantik, më shumë se dy dekada pas krijimit të saj.

Në takimin e ministrave të Jashtëm të Kartës së Adriatikut, të organizuar sot nën kryesinë e Kroacisë nw New York , Hoxha u shpreh se koncepti i sigurisë sot shtrihet përtej kërcënimeve tradicionale.

“Siguria sot shkon përtej kërcënimeve konvencionale. Për t’u përballur me sfidat e kohës, nga kërcënimet kibernetike dhe siguria energjetike te manipulimi dhe ndërhyrja e informacionit të huaj (FIMI), duhet të vazhdojmë forcimin e relevancës dhe efektivitetit të Kartës, ashtu siç duhet të thellojmë dhe zgjerojmë bashkëpunimin rajonal në tërësi,” – deklaroi Hoxha.

Ai theksoi se siguria në Ballkanin Perëndimor kërkon më shumë se qëndrueshmëri, duke nënvizuar se për stabilitet të qëndrueshëm nevojitet përfshirje e plotë e vendeve dhe shoqërive të rajonit në kuadrot e bashkëpunimit dhe përgjegjësisë së përbashkët.

“Stabiliteti i qëndrueshëm mund të arrihet vetëm kur të gjitha vendet dhe shoqëritë e rajonit janë të integruara plotësisht në kuadrot e bashkëpunimit, sigurisë dhe përgjegjësisë së përbashkët që mbështesin të ardhmen tonë të përbashkët,” – u shpreh ministri.

Në këtë kontekst, Hoxha rikujtoi se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Kartën e Adriatikut ka mbetur pezull për një kohë të gjatë.

“Aplikimi i Kosovës ka qenë i pezulluar për shumë kohë. Avancimi i këtij procesi do të forconte kohezionin rajonal dhe do të rrite kapacitetin tonë kolektiv për të adresuar sfidat e përbashkëta të sigurisë,” – theksoi ai.

Ministri Hoxha përmbylli fjalën e tij duke nënvizuar se një Kartë Adriatike e hapur, e përshtatshme, më e fortë dhe më gjithëpërfshirëse është garanci për një Ballkan Perëndimor më të sigurt dhe mbetet thelbësore për të ardhmen e përbashkët euroatlantike.

Lini një koment