Festat e Nëntorit bashkojnë shqiptarët në Ankara
Festat e Nëntorit kanë bashkuar shqiptarët në Ankara, ku Ambasada e Shqipërisë në Turqi, në bashkëpunim me Ambasadën e Kosovës dhe Qendrën e Kulturës Shqiptare “Sami Frashëri”, organizoi një aktivitet festiv me pjesëmarrjen e studentëve, përfaqësuesve të komunitetit dhe diasporës shqiptare.
Aktiviteti u zhvillua me rastin e 28 Nëntorit, Festës së Flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë, si dhe 22 Nëntorit, Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe.
Në fjalën përshëndetëse, ambasadorja e Shqipërisë në Turqi, Blerta Kadzadej, vlerësoi rëndësinë historike të këtyre dy datave si shtylla të identitetit kombëtar. Ajo theksoi gjithashtu miqësinë tradicionale dhe partneritetin strategjik mes Shqipërisë dhe Turqisë, si dhe rolin e diasporës dhe brezit të ri në zhvillimin e vendit dhe në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Përshëndetje mbajti edhe ambasadori i Kosovës në Turqi, Agon Vrenezi, ndërsa kremtimi i përbashkët i festave përcolli mesazhe për lidhjet historike, kulturore dhe shpirtërore mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Një kontribut të veçantë në organizimin e mbrëmjes dha Qendra e Kulturës Shqiptare “Sami Frashëri”, nën koordinimin e Serdal Vardarit.
Në një atmosferë festive, aktiviteti vuri në pah rëndësinë e bashkimit të shqiptarëve, ruajtjes së gjuhës, kulturës dhe trashëgimisë kombëtare, si dhe forcimit të lidhjeve me diasporën.