FFK-ja del me njoftim të rëndësishëm para ndeshjes Kosovë – Izrael, ja çfarë duhet të dinë tifozët
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka publikuar një njoftim të rëndësishëm për të gjithë tifozët që do të jenë të pranishëm në stadiumin “Fadil Vokrri” për ndeshjen Kosovë–Izrael, siç njofton Telegrafi.
Sipas njoftimit, për sigurinë dhe mbarëvajtjen e sfidës, në stadium ndalohet futja dhe përdorimi i një sërë gjësendesh që mund të rrezikojnë sigurinë e pjesëmarrësve.
Në mesin e sendeve të ndaluara janë armët e çdo lloji dhe mjetet e mprehta, mjetet piroteknike, fishekzjarrët, flakadanët dhe mjetet eksplozive, si dhe pijet alkoolike. Po ashtu, nuk lejohen rrezet lazer, dronët dhe pajisjet e zërimit pa autorizim.
Ndalesa vlen edhe për banderolat me përmbajtje politike, raciste apo diskriminuese, për çadrat dhe për çdo send tjetër që mund të paraqesë rrezik për sigurinë.
Të gjithë tifozët duhet të kenë me vete një dokument të vlefshëm identifikimi, i cili do të kërkohet gjatë hyrjes në stadium.
Për shkak të kontrolleve të detyrueshme të sigurisë në hyrje, FFK-ja u bën thirrje tifozëve të planifikojnë ardhjen sa më herët, për të shmangur vonesat.
FFK-ja ka bërë të ditur gjithashtu se “Prishtina Parking” nuk do të jetë në funksion për këtë ndeshje. Tifozët këshillohen të planifikojnë paraprakisht parkimin në zona më të largëta nga stadiumi, për të shmangur trafikun dhe vonesat.
Në fund, Federata u bën thirrje tifozëve të jenë të disiplinuar, të tregojnë respekt dhe ta përkrahin në mënyrë të zjarrtë Kombëtaren e Kosovës.