E premte, 6 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›Filharmonia e Kosovës shkëlqen në skenën e Krakovit

Filharmonia e Kosovës shkëlqen në skenën e Krakovit

Orkestra dhe Kori i Filharmonisë së Kosovës kanë performuar në skenën e Filharmonisë së Krakovit në Poloni, ku janë pritur me duartrokitje të gjata nga publiku polak, siç njofton KosovaPress.

Ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, ka bërë të ditur se performanca u zhvillua nën drejtimin e dirigjentit Wojciech Czepiel. “Përmes një programi që ndërthuri veprat e kompozitorëve polakë dhe shqiptarë, artistët tanë prezantuan muzikën dhe krijimtarinë tonë në skenën e Filharmonisë së Krakovit”, ka shkruar Bogujevci në Facebook.

Sipas programit zyrtar të Filharmonisë së Krakovit, koncertet oratoriale u mbajtën më 16 dhe 17 tetor, me vepra të Krzysztof Penderecki-t, poemën simfonike “Skënderbeu” të Fahri Beqirit, Koncertin për violinë nr. 1 të Karol Szymanowski-t dhe oratoriumin “Homagium Matri Teresiae” të Mendi Mengjiqit, me solistët Joanna Konarzewska, Adelina Paloja, Ivana Hoxha, Piotr Kalina dhe Arkadiusz Jakus.

“Përgëzime për të gjithë artistët për këtë paraqitje të suksesshme!”, ka shkruar ministrja Bogujevci, duke e vlerësuar paraqitjen e ansamblit kosovar në një nga skenat më të njohura të Polonisë.

Lini një koment