FINLANDË – Depoja e parë nëntokësore në botë për ruajtjen e mbetjeve bërthamore
KOPENHAGË, 23 tetor /ATSH-DPA/- Finlanda është bërë vendi i parë në botë, që ka dhënë lejen për funksionimin e një objekti nëntokësor, ku do të ruhen mbetjet radioaktive nga centralet bërthamore, njoftoi sot qeveria finlandeze në Helsinki.
Vendimi i lejon kompanisë “Posiva”, që do të menaxhojë objektin, të përgatisë për ruajtje dhe të vendosë përgjithmonë mbetjet radioaktive nga centralet bërthamore, Olkiluoto dhe Loviisa.
Objekti ndodhet në ishullin Olkiluoto, në perëndim të Finlandës.
Sipas qeverisë, objekti mund të përdoret për rreth 100 vjet.
Pas kësaj periudhe, vendi ku do të ruhen mbetjet do të mbyllet përfundimisht.
Megjithatë, depozitimi i mbetjeve nuk mund të nisë menjëherë.
Përpara se objekti të vihet në funksion, Autoriteti për Sigurinë nga Rrezatimi dhe Sigurinë Bërthamore, duhet të kryejë kontrollet përkatëse dhe të japë miratimin.
Për këtë arsye, ende nuk dihet se kur do të fillojë ruajtja e mbetjeve radioaktive.
Qeveria finlandeze theksoi se gjatë ndërtimit të objektit dhe përgatitjes së tij për përdorim, është marrë parasysh siguria e banorëve, e punonjësve dhe mbrojtja e mjedisit.
Objekti ndodhet pranë centralit bërthamor të Olkiluotos dhe përbëhet nga dy pjesë, një ndërtesë mbi tokë, ku përgatiten mbetjet për ruajtje, dhe një depo nëntokësore e quajtur “Onkalo”, që në gjuhën e vebndit do të thotë “shpellë”.
Kjo depo është ndërtuar në një thellësi prej më shumë se 400 metrash nën tokë.
Sipas qeverisë, në këtë depo mund të ruhen deri në 6,500 tonë uranium.
Për të garantuar sigurinë, karburanti bërthamor i përdorur, do të mbyllet në enë të posaçme mbrojtëse.
Brenda tyre do të ketë një shtresë prej gize, ndërsa pjesa e jashtme do të mbulohet me një shtresë bakri me trashësi 5 centimetra, shpjegoi një përfaqësues i kompanisë Posiva.
Më pas, këto enë do të vendosen në vrima të hapura në shkëmbinjtë nëntokësorë dhe do të rrethohen me një shtresë shtesë argjile të posaçme, të quajtur “bentonit”, e cila ndihmon në pengimin e përhapjes së lëndëve radioaktive në mjedis. /