Fizioterapeuti i Kombëtares së Kosovës me fjalë të mëdha për kreun e FFK-së: Puna e tij ka bërë që arritjet e Kosovës të jenë në këtë nivel
Puna e presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademit, është vlerësuar lart në një intervistë nga fizioterapeuti Skifter Imeri, ku ndër të tjera u diskutua edhe punën dhe sukseset e Kombëtares së Kosovës.
Gjatë podcastit “Shëndeti në rend të parë” në Telegrafi, kreu i FFK-së nga fizioterapeuti Skifter Imeri, i cili është pjesë e Kombëtares së Kosovës, është përshkruar si një person i palodhshëm, ndërsa theksohet kontributi i tij ndër vite në ngritjen e nivelit të futbollit kosovar.
“Dua ta falënderoj nga zemra dhe thellësia e shpirtit kryetarin, i cili është një person i palodhshëm. Meritat e tij nuk duhet t’ia humbë askush”, është shprehur Imeri.
Sipas tij, puna e bërë ndër vite ka ndikuar edhe në sukseset dhe arritjet e Kombëtares së Kosovës.
“Puna e tij ndër vite ka bërë që suksesi dhe arritjet e Kombëtares së Kosovës të jenë deri në këtë nivel. Kryetari Agim Ademi vërtet është një person adekuat dhe është një person punën e të cilit e admiroj”, ka deklaruar ai, duke i dëshiruar shëndet e vazhdimësi në punën e tij.
Në këtë intervistë ai veçoi edhe zhvillimin e infrastrukturës së futbollit në Kosovë.
Imeri ka thënë se presidenti aktual i FFK-së ka luajtur rol të rëndësishëm në ndërtimin e fushave në qytete të ndryshme të vendit, duke i ofruar kushte për zhvillim çdo talenti të futbollit.
“Kryetari i tanishëm ka ndërtuar në çdo qytet një deri në dy fusha. Kështu arrihet të ngritet një sport në Kosovë. Sikur të kishin punuar secili kryetar i çdo sporti siç ka punuar kryetari i FFK-së, mendoj se ne do të kishim lulëzuar, pasi ne kemi fëmijë që e duan sportin dhe janë të gatshëm edhe prindërit të bashkëpunojnë, që ndoshta fëmijët e tyre të përfaqësojnë Kosovën në çdo sport”, ka shtuar Imeri.
Ai e cilëson futbollin si një prej sporteve më të zhvilluara në vend, duke theksuar se futbollistët kosovarë kanë tashmë pritshmëri dhe vizion më të qartë për karrierën e tyre.
“Sukseset e Kosovës na kanë bërë krenarë”, ka shtuar Imeri, i cili është shprehur i lumtur që është pjesë e rrugëtimit të Kombëtares së Kosovës.
