FOKUS – Franca zhvendos në momentin e fundit takimin e G7-ës nga Marseja në Paris
PARIS, 5 nëntor /ATSH-AFP/- Ministria e Jashtme e Francës njoftoi sot se takimi i ministrave të Jashtëm të vendeve të G7, i planifikuar të mbahej javën e ardhshme në Marsejë, do të zhvendoset në Paris.
Si arsye për këtë ndryshim të pazakontë në momentin e fundit, ministria përmendi çështjet logjistike.
Ministrat e Jashtëm të Grupit të Shtatë vendeve më të industrializuara të botës (G7) pritet të takohen të hënën dhe të martën e javës së ardhshme, për të diskutuar mbi sigurinë detare dhe atë të porteve, si dhe luftërat në Lindjen e Mesme dhe në Ukrainë.
Ministria franceze e Jashtme bëri të ditur se ndryshimi i vendndodhjes, lidhet edhe me Forumin e Paqes në Paris, i cili do të zhvillohet menjëherë pas takimit të ministrave, të mërkurën dhe të enjten.
“Zgjedhja e Parisit garanton zhvillimin pa probleme të këtyre dy aktiviteteve ndërkombëtare”, deklaroi ministria.
Datat e të dyja aktiviteteveM ishin bërë të ditura prej më shumë se gjashtë muajsh, ndërsa Marseja ishte përcaktuar si qyteti pritës i takimit të G7-ës, disa muaj më parë.
Marseja, së bashku me Parisin, ishte ndër qytetet më të prekura nga trazirat që shpërthyen muajin e kaluar, në kuadër të protestave masive në Francë.
Në G7 bëjnë pjesë Franca, Gjermania, Britania e Madhe, Italia, Japonia, Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në takimin e javës së ardhshme, janë ftuar gjithashtu ministrat e Jashtëm të Ukrainës dhe të disa vendeve të tjera partnere. /