E enjte, 5 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›FRANCË – Parlamenti rrëzon projektbuxhetin, qeveria përballet me protesta të reja

FRANCË – Parlamenti rrëzon projektbuxhetin, qeveria përballet me protesta të reja

– Projektbuxheti i Francës për vitin e ardhshëm nuk ka marrë miratimin e Asamblesë Kombëtare në leximin e parë, ndërsa qeveria e pakicës e kryeministrit Sebastien Lecornu, po përpiqet të miratojë një buxhet që parashikon masa shtrënguese financiare.

Projektbuxheti ishte ndryshuar ndjeshëm gjatë diskutimeve në seancë plenare dhe nuk mori asnjë votë pro.

Të 458 deputetët e pranishëm në dhomën e ulët të Parlamentit votuan kundër propozimit në një seancë që përfundoi dje në mbrëmje.

Tashmë, projektbuxheti do t’i kalojë për shqyrtim Senatit, Dhomës së Lartë të Parlamentit, i cili do të shqyrtojë versionin fillestar të paraqitur nga qeveria.

Dështimi i projektbuxhetit në këtë fazë nuk ishte i papritur, pasi ndryshe nga viti i kaluar, Lecornu nuk bëri përpjekje paraprake për të arritur një marrëveshje me ndonjë grupim tjetër politik, në mënyrë që të siguronte mbështetjen e nevojshme në Asamblenë Kombëtare.

Gjatë diskutimeve, deputetët e cilësuan vazhdimisht procesin si një debat formal pa rezultat, duke argumentuar se që në fillim ishte e qartë se projektbuxheti nuk do të miratohej.

Qeveria franceze është prej kohësh nën presion për të përmirësuar financat publike, për shkak të nivelit të lartë të borxhit të vendit.

Ndërkohë, presioni ndaj autoriteteve vjen edhe nga qytetarët. Protestat në shkallë kombëtare për koston e jetesës kanë tronditur vendin prej disa javësh.

Ato nisën fillimisht nga nxënësit, të cilët denoncuan gjendjen e amortizuar të shkollave dhe mungesën e mësuesve.

Sindikatat franceze kanë bërë thirrje për demonstrata të reja dhe një grevë të përgjithshme këtë të enjte, për të kërkuar rritjen e pagave dhe për të kundërshtuar shkurtimet e shpenzimeve sociale.

Autoritetet presin që në protesta të marrin pjesë disa qindra mijëra persona.

Përballë vështirësive për të siguruar mbështetjen parlamentare, qeveria e pakicës pritet t’i drejtohet një dispozite kushtetuese, që i jep mundësinë të miratojë buxhetin pa një votim përfundimtar në Parlament, duke përdorur kompetenca të posaçme ekzekutive. /

Lini një koment