FOKUS – Gjermania: Paqe në Ukrainë përpara nisjes së bisedimeve me Rusinë për sigurinë evropiane
BERLIN, 11 nēntor /ATSH – DPA/ – Gjermania kërkon arritjen e paqes në Ukrainë përpara se të nisë diskutimet me Rusinë për rendin e sigurisë evropiane, deklaroi të mërkurën zëdhënësi i qeverisë gjermane, pas përfundimit të bisedimeve mes Rusisë dhe Ukrainës në Abu Dhabi.
“Faza e parë është paqja në Ukrainë. Vetëm pas kësaj mund të zhvillohet një dialog për rendin e sigurisë evropiane dhe transatlantike”, deklaroi zëdhënësi Stefan Kornelius.
I dërguari amerikan Jared Kushner ka bërë thirrje për krijimin e një kuadri të ri sigurie për Ukrainën, Rusinë dhe Evropën, me synimin për të garantuar “dekada, madje edhe shekuj paqeje”.
Kjo qasje përkon me qëndrimin e Moskës, e cila kërkon rishikimin e arkitekturës së sigurisë evropiane, aktualisht të bazuar te NATO-ja, të cilën Kremlini e konsideron një kërcënim ekzistencial.
Ndërkohë, Berlini përshëndeti “marrëveshjen në parim” mes evropianëve dhe amerikanëve për zgjerimin e pjesëmarrjes së vendeve evropiane në raundet e ardhshme të diskutimeve për Ukrainën.
Kjo çështje pritet të trajtohet në fazat e ardhshme nga negociatorët amerikanë gjatë vizitës së tyre në Moskë, sipas Korneliusit.
“Ne tani presim reagimin e Rusisë”, shtoi ai.
Delegacioni ukrainas nisi të mërkurën në Abu Dhabi bisedimet me përfaqësuesit evropianë dhe amerikanë, pas përfundimit të negociatave me Rusinë, të zhvilluara me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky përshëndeti përfshirjen përfundimtare të evropianëve në këto diskutime, duke vënë në dukje “ndryshime pozitive” në qasjen amerikane.
Nga ana tjetër, Rusia ka përjashtuar mundësinë e zhvillimit të bisedimeve të drejtpërdrejta me vendet evropiane, të cilat mbështesin Kievin, duke deklaruar se nuk e kupton mirë rolin e tyre dhe se është e vështirë të përcaktohet se çfarë mund të diskutohet me to.