E enjte, 12 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›FOKUS – Sulm ndaj anijes luftarake ruse në Baltik, rriten tensionet në kufijtë e NATO-s

FOKUS – Sulm ndaj anijes luftarake ruse në Baltik, rriten tensionet në kufijtë e NATO-s

– Finlanda ka zbuluar një sulm ndaj një anijeje luftarake ruse në Gjirin e Finlandës, në Detin Baltik, ndërsa incidenti ka rritur shqetësimet për sigurinë në rajon dhe rrezikun e përhapjes së konfliktit Rusi-Ukrainë pranë kufijve të NATO-s, sipas “Reuters”.

Forcat e Mbrojtjes së Finlandës njoftuan sot se kishin zbuluar një sulm ndaj një anijeje luftarake ruse një ditë më parë, më 11 nëntor, dhe kishin monitoruar zhvillimin e situatës.

Autoritetet finlandeze nuk dhanë hollësi për vendndodhjen e saktë, kohën apo mënyrën se si u zbulua sulmi.

Gjithashtu, nuk është konfirmuar nëse ka pasur viktima apo dëme në anije.

Megjithatë, mediet estoneze raportuan se bëhej fjalë për një anije të vogël të marinës ruse, e cila pas incidentit ishte kthyer drejt Shën Peterburgut.

Ukraina pretendon se goditi anijen ruse

Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU) deklaroi se kishte organizuar dhe realizuar një sulm me dronë kundër anijes luftarake ruse “Naro-Fominsk”, në kuadër të një operacioni special.

Anija i përket klasës “Buyan-M” dhe është pjesë e Flotës Ruse të Baltikut.

Ajo është e pajisur me raketa, përfshirë raketat kruz “Kalibr”, të cilat Rusia i përdor edhe në sulmet ndaj objektivave në Ukrainë.

Ministri estonez i Mbrojtjes, Martin Herem, konfirmoi për transmetuesin publik ERR se në bordin e një anijeje luftarake ruse në Gjirin e Finlandës kishte ndodhur një shpërthim.

Sipas tij, pas shpërthimit, nga anija ishte parë tym dhe ajo ishte drejtuar për në Shën Petesburg.

Incidenti raportohet të ketë ndodhur rreth orës 05:30 të mëngjesit të 11 nëntorit, pranë ishullit rus Gogland, i njohur edhe me emrin finlandez Suursaari.

Megjithatë, autoritetet estoneze nuk kanë konfirmuar në mënyrë të pavarur, nëse shpërthimi ishte shkaktuar nga një sulm ukrainas apo nga një aksident. As shkalla e dëmeve në anije nuk është bërë e ditur.

Finlanda merr masa paraprake, NATO aktivizon avionët luftarakë

Sulmi ndodhi në një periudhë të tensionuar për sigurinë në rajonin e Detit Baltik, ku Ukraina ka intensifikuar sulmet me dronë ndaj objektivave ruse në rajonin e Leningradit, në veriperëndim të Rusisë.

Në këtë rajon ndodhen qyteti i Shën Petesburgut dhe porti i Ust-Lugës, një nga qendrat kryesore të eksporteve ruse të naftës dhe drithërave.

Në orët e para të së mërkurës, Finlanda vendosi kufizime të përkohshme në disa zona detare dhe në hapësirën ajrore të pjesës lindore të Gjirit të Finlandës, si masë paraprake pas sulmeve me dronë ndaj portit rus të Ust-Lugës.

Ndërkohë, Estonia, Letonia dhe Lituania paralajmëruan qytetarët e tyre të kërkonin strehim, për shkak të pranisë së dronëve në hapësirën ajrore të rajonit.

Në përgjigje të situatës, NATO aktivizoi avionët luftarakë për të monitoruar hapësirën ajrore dhe për të garantuar sigurinë e vendeve anëtare.

Disa dronë ukrainas kanë hyrë ose kanë devijuar drejt hapësirës ajrore të Finlandës dhe vendeve baltike, duke shtuar shqetësimet se lufta mund të shtrihet përtej territorit ukrainas.

Megjithatë, ushtria finlandeze theksoi se situata e sigurisë në zonë, mbetet e qëndrueshme dhe se Finlanda nuk përballet me ndonjë kërcënim të menjëhershëm ushtarak.

Gjiri i Finlandës, një zonë me rëndësi strategjike

Gjiri i Finlandës është një pjesë e ngushtë e Detit Baltik, që ndan Finlandën nga Estonia dhe shtrihet në lindje drejt Shën Peterburgut të Rusisë.

Ishulli Gogland, pranë të cilit raportohet se ndodhi incidenti, ndodhet rreth 40 kilometra në jug të Finlandës dhe 55 kilometra në veri të Estonisë.

Për shkak të pozicionit të tij gjeografik dhe afërsisë me territorin rus, rajoni ka rëndësi të veçantë strategjike për sigurinë e Evropës Veriore.

Incidenti vjen në një kohë kur prania ushtarake ruse në Detin Baltik dhe sulmet me dronë në rajon, po shtojnë shqetësimet e vendeve anëtare të NATO-s për sigurinë e kufijve të tyre. /

Lini një koment